Triologjia “Frymë”
Autore: Erina Çoku
Shtëpia Botuese: “Jozef”
Çmimi: 1500 lekë
Një kërkim shpirtëror e artistik i poetes përgjatë 10 viteve, janë tri vëllime që bëjnë triologjinë “Frymë” me autore Erina Çokun. Zanafilla e rrugëtimit të saj, shënohet me “Fill”, ku nis kërkimi mbi vetveten, tentativa për të kuptuar e hequr prej saj pjesët e dëmshme, për të dalë më e fuqishme si grua e autore. “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” është tregues i një faze të re frymimi dhe vetëdijësimi ku autorja dëshmon tashmë në paqe me veten, universin e ciklin e jetës. E konsideron si një histori dashurie poetja triologjinë, që përmbyllet me “Jemi gjallë gjer në mbrëmje”, ku siç thotë plagët janë shndërruar në hartë force. Përvoja personale që kapërcen nga ndjesitë në mendim poetik, i jep letërsisë së Çokut, veti kurative.
"Secili prej tre vëllimeve që bëjnë triologjinë, lidhur dorë për dorë në penjë të hollë me tjetrin përfaqëson një fazë ndryshe qoftë të krijimtarisë sime, qoftë edhe të hulumtimit shpirtëror, timit ose të lexuesit, teksa vjen tek vëllimi poetik. Libri 'Fill' ëhstë hulumtimi më i parë i vetes, përpjekja për të dalë prej vetes ta matur botën me një forcë tjetër shpirtërore. Kjo reflektohet , pasqyrohet pak më pastër në vëllimin e dytë “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha’, ku fillon një fazë më e qetë, ndoshta celebrale... Ku kërkohet më shumë mendimi dhe shihen më qetë perceptimet ndjesore. Besoj dhe shpresoj se me librin ‘Jemi gjallë deri në mbrëmje’ kam arritur ta ngërthej unin tim poetik dhe shpirtëror, duke kapërcyer atë fazën ndjesore dhe duke qenë në atë botën më të qetë, që fillon reflektimi, mendimi arsyetimi", shprehet poetja Erina Çoku.
“Arbëreshët- Monument i lotit”
Autor: Ylli Polovina
Shtëpia Botuese: “Arte-graphic”
Çmimi: 800 lekë
I nxitur nga ideja për të plotësuar një muze ikonografik në Frashinjetë të Kalabrisë me ikona shqiptare, Ylli Polovina do të shënonte rrugëtimin e radhës si autor, studiues e diplomat, që do ta ndihmonte në dëshminë e tij letrare të botuar rishtazi “Arbëreshët- Monument i lotit”. Në 2016 faqe ai rrëfen dashurinë e arbëreshëve për rrënjët, dhe disa copëza të munguara si një bust i Skënderbeut në San Sofia, ku fshihet edhe misteri i ‘Monumentit të lotit’. Prej fillimit Polovina mban lexuesin të lidhur me një histori të heshtur. Atë të Xhuzepe Bafës, avokatit të palës shqiptare në tragjedinë e Otrantos, me dritëhijet e vdekjes së tij, ndoshta të provokuar.
"Xhuzepe Bafa ishte avokati i shqiptarëve, i palës shqiptare të familjeve vlonjate, të cilët u mbytën kur goditi Sibila, ‘Katarin e Radës’ dhe e mori Bafa përsipër... Ishte shumë e vështirë sepse qarqet e marinës dhe lobet e ushtrisë nuk janë të lehta për t'i mundur një avokat. Ai luftoi për këtë dhe një ditë kur do të behej gjyqi ai pëson një aksident me makinë... “La nazione” e alarmuar filloi të publikonte gjëra të frikshme që provonin se në vrasjen aksidentale të Xhuzepe Bafës kishin dorë shërbimet e marinës, domethënë janë italianët që e denoncuan", thotë studiuesi e publicisti Ylli Polovina.
“Kalamajtë e pallatit tim 1&2”
Autor: Bedri Dedja
Shtëpia Botuese: “Albas”
Çmimi: 750 lekë secili
“Albas” vë theksin tek letërsia shqiptare klasike e rikthen serinë ‘Kalamajt e pallatit tim” të shkrimtarit Bedri Dedja, nën kujdesin e së bijës Edlirës. Nga Tirana, në një fshat malor, në botimin e parë, autori ndërton një sërë aventurash, përmes lojërave të vogëlusheve, hulumton mbi psikologjinë e tyre, sjelljet, edhe ato të pahijshmet, për të ndërtuar me vërtetësi një sërë aventurash e ngjarjesh misterioze, si ajo e banorit të ri të pallatit me xhama të thyer.
Në pritje të botimit të tretë, dy librat e parë me gjuhën autentike e të pasur , vëzhgimin e mprehtë, autori arrin të argëtojë, por edhe të nxisë reflektim mbi përgjegjësitë tek vogëlushët, e t’i rikthejë të rriturve nostalgjinë e fëmijërisë.
"Duket sikur shkrimtari shqiptar Bedri Dedja ka vëzhguar jetën e fëmijëve dhe ka zbuluar thesare. Dhe këto thesare nëpërmjet artit të fjalës së tij ka vendosur që ti ndajë me ne nëpërmjet faqeve të këtyre romaneve. Mendoj se të dy romanet ‘Kalamajt e pallatit tim 1’ dhe 2 duhet të jenë patjetër në bibliotekat e fëmijëve, jo vetëm që ata do të mësojnë aty për bashkëmoshatarët e tyre të një kohe tjetër që nuk e njohin, por do të kuptojnë se bota e fëmijëve kudo, kurdo, është e pasur me pasione, me dëshira për lojën, me teka. Me çapkënllëqe, por mbi të gjitha është plot me ëndrra", thotë redaktorja Artemisa Bushi.