Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tre tituj të rinj.
“Pluku dhe kamioni i tij”
Autor: Annie Schmidt
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 1500 lekë
Gjenial në thjeshtësinë me të cilën është shkruar, emocionues e zbavitës, por mbi të gjitha plot mesazhe, libri për fëmijë 'Pluku dhe kamioni i tij' vjen në shqip nga Irena Rama. Një nga titujt më të kërkuar, me autorësi të holandezes Annie Schmidt, fituese e çmimit “Andersen", i harmonizuar me ilustrime, të rrëmben në aventurat e protagonistit Pluk, e një galerie personazhesh, që pasojnë në 40 minikapituj. Nga buburreci Zaza, tek Dlirëza, e burgosura e rreptësisë së nënës së saj Qelibare, vogëlushi Pluk, mëson se si pa pasur thuajse asgjë, pos dashurisë për çka të rrethon, mund t'u vish në ndihmë të tjerëve, duke pasuruar veten me miq e mirënjohje.
"Pluku dhe kamioni i tij është një libër shumë i famshëm në Holandë, dhe vjen në shqip nga Irena Rama, me një gjuhë të thjeshtë e të bukur. është një libër që çdo fëmijë duhet ta ketë në bibliotekën e vet, sepse në ato ngjarje aq shumë të thjeshta, naive, ka mesazhe pa fund, shumë domethënëse për jetën që na rrethon.Pluku aq sa i pavarur, rrethohet gjatë gjithë kohës me miq shumë të mirë. Dhe ai gjithçka e bën së bashku me miqtë. Kjo u krijon fëmijëve, një lloj individualiteti, një lloj pavarësie, por aman u mëson të jetojnë edhe në komunitet. U mëson të jetojnë në pallat, në lagje, në qytet. I mëson marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, i mëson marrëdhëniet me të rriturit. I mëson marrëdhëniet me kafshët, mjedisin ku jetojnë", rrëfen redaktorja Elona Çali.
“Kompleksi im i Edipit dhe rrëfenja të tjera”
Autor: Frank O’Connor
Shtëpia Botuese: “Pegi”
Çmimi: 1500 lekë
Një nga tregimtarët më të kërkuar të New Yorker, ndonëse në Irlandën e tij, meritat letrare i njihen vonë, Franc O’çonor, i ndarë nga jeta 57 vite të kaluara, vjen në shqip nga Sokol Çunga. Kritika e vlerëson për teknikën e mprehtë të të shkruarit, kolegë si William Buttler Yeats, e konsiderojnë si “Çehovin” e Irlandës, në tregimet e tij, leximi rrjedh e ndihet pasioni i të rrëfyerit, ndoshta edhe prej copëzave autobiografike, që herë pas herë ngrënë krye, që prej tregimit “Kompleksi im i Edipit”, prej nga merr titullin edhe libri.
“Kemi një përmbledhje me 30 tregime të përzgjedhur nga britaniku shkrimtar bashkëkohor shumë i njohur Julian Barns i cili mes një korpusi prej 150 tregimesh të Franc Oçonor, ka përzgjedhur 30 dhe njëri prej tyre titullohet “Kompleksi im i Edipit”. Dhe 29 të tjerat që mbeten janë rrëfenja të tjera. është i përveçëm për mënyrën se si trajton ato tema që lidhen specifikisht me fëmijët, përfshirë këtu edhe temën e kompleksit të Edipit. Në të gjtha temat që përfshijnë botën e mekullueshme të fëmijëve, ka një mënyrë të veçantë për të përshkruar tregimin sipas botës së fëmijës pa hyrë në stërhollime, pa hyrë në filozofira, të cilat na ngjanin artificiale edhe të papërshtatshme për mendjen e një fëmije. Njëkohësisht është krejtësisht miqësor me lexuesin, nuk është cinik, nuk është i ashpër. I trajton njerëzit si njerëz, si njerëz që kanë merita, vlera, gabime, por edhe këto nuk duhet të mënjanohen nga e gjithë vlera e qenies njerëzore,n ga këndvështrimi miqësor dhe jo armiqësor i njeriut, për këto edhe mua vetë më ka shijuar Oçonor si autor”, thotë përkthyesi Sokol Çunga.
“Kolë Idromeno – themeluesi i artit realist shqiptar”
Autor: Eleni Laperi
Shtëpia Botuese: “Mediaprint”
Çmimi: 1200 lekë
E nxitur nga ideja për të studiuar artistët vendas nga 1860 deri në kapërcyller të Luftës së Dytë, studiuesja Eleni Laperi ndalet e zbërthen nga e para 'kodet' e jetës dhe veprës së "Kolë Idromenos", si themelusi i artit shqiptar". Rrugëton prej zanafillës së legjendës, në atmosferën historike të Shkodrës së Idromenos, ku me portretin e 'Matia Kodhelit' , në 1878-ën u shënua viti një i realizmit pamor vendas e hedh dritë mbi jetën e artistit multidimensional dhe enigmat e veprave të tij. Analizon 'Motrën Tone' si një grua 'të hedhur' që vishet si damat e Perëndimit, 'Dy rrugët' mes predikimit si porosi e kishës katolike, e kënaqsisë së autorit, tek tregimi figurativ i "Dasmës Shkodrane", të shtrirë në 5 vite krijimtari. Laperi hulumton në arkiva, literaturë, historikun e vendeve e të njerëzve që jetoi Idromeno dhe e sjell atë të plotë edhe në ndihmesë të dëshmive të pasardhësve.
“Puna që kam bërë më ka shtyrë të kërkoj nga e para të gjithë elementët që formuan personalitetin e Idromenos, si artist dhe si njeri. Pra më ka nxitur të njohë familjen e tij, të njohë shokët dhe miqtë e tij, intelektualët e shquar të Shkodrës së asaj kohe, të njohë ngjarjet dhe vendet që e bënin Shkodrën në atë kohë. Kolë Idromeno ishte jo vetëm piktor, jo vetëm fotograf, por ishte arkitekt, skenograf, skulptor, inxhinier, pra vërtetë njeri me prirje me dëshira, me pasione të shumanshme. Ndikimi i tij në kulturën e asaj kohe, mund të thuash se është mjaft i madh, se ai ndryshoi mentalitetin, ndryshoi mënyrën se si e shikonin botën dhe veten e tyre, bashkëqytetarët e tyre jo vetëm kristian, por edhe mysliman. Nuk ka lënë të shkruara për idetë që ka pasur për të bërë veprat e tij. Por këto mund ti nxjerrësh duke analizuar portetet dhe tablotë e tij. Dhe e kupton që ai gjithmonë ka dashur të përçojë një mesazh, qoftë tek “Dasma shkodrane”, që është një tablo e bukur dhe shumë domethënëse, qoftë te tabloja “Dy rrugët” që ka një sarkazëm të hollë dhe një gëzim, ka një kënaqësi... Tek kjo tablo përshembull kupton se ai pikturën nuk e shihte thjesht si një mesazh vizual, po e shihte edhe si një proces kënaqësie, prandaj veprat e Idromenos na i japin këtë të dhënë për Idromenon, për mënyrën se si ai e shihte pikturën. Ajo që më ka befasuar mua, sepse gjithmonë pyesja veten, pse bën kaq përshtypje portreti i motrës Tone, nuk është si portetet e tjerë që kanë bërë artistët edhe pas Kolë Idromenos. Dhe ajo që unë them se kam zbuluar është pikërisht kjo, se motra Tone, aty mendon, ka një reagim prej aktoreje. Duke veshur kostumin shkodran, ajo përpiqet të imitojë edhe një grua të mbuluar, të asaj kohe, dhe kjo e bën atë të emocionojë shikuesin", thotë studiuesja Eleni Laperi, autore e librit.