Rubrika 'Në librari' me 4 tituj të ri! Nga përkthimi i plotë i 'Don Kishotit' tek kumtesat për Nolin! Mesazhi në poemë i Gurakuqit e historia e 'Shkëmbimit'

Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me katër tituj të rinj: 

Titulli: “Shkëmbimi”

Autor: Julie Clark

Shtëpia Botuese: Mediaprint

Çmimi: 1300 lekë

 “Dy gra, dy bileta, vetëm një rrugëdalje”, romani “Shkëmbimi” i Julie Clark sjell historitë e ndryshme të dy grave në udhëkryqe të rrezikshme. Të dyja pre të dhunës, e me një synim të përbashkët, për t’i shpëtuar asaj, ndoshta përmes shkëmbimit të një bilete avioni.

"Në një moment të caktuar këto dy gra pikëtakohen. Duket sikur ndodh rastësisht, por Julie i ka bashkuar ato qëllimisht që të tregojnë historinë e jetës së tyre, dhe të gjejnë një rrugëdalje për dhunën. Dhe mënyra për t'u ndarë prej kësaj historie është një biletë avioni, të cilat i këmbejnë së bashku dhe çuditërisht Julie Clark na befason nga mënyra sesi ka arritur ta zgjidhë... një libër 'thriller' që lexohet shpejt, dhe vërtet lë gjurmë në mënyrën se si shkrimtarja e rrëfen dhe besoj se bëhet një udhërrëfyes edhe për gratë që kanë histori të tilla për tu treguar se si mund të dalin prej tyre", tregon botuesja Anila Bisha.

 

Titulli:  "Studime Muzeologjike"

Autor: Grup autorësh

Botim i Muzeut Historik Kombëtar

Çmimi: 1200 lekë

Mbi 24 kumtesa të  Konferencës Shkencore “Noli poliedrik” , të mbajtur në kuadër të 140-vjetorit të tij të lindjes dhe një shekulli marrëdhënie Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë të botuara në Revistën Shkencore Studime Muzeuologjike në këtë numër të 13-të,

"Kjo është një tematik që përmbledh dhe rrok të gjithë aktivitetin, kulturore, historiografik, letrar të Nolit. Në këto kumtesa ne jemi përpjekur të ndajmë kontributin e tij në Letërsinë Shqipe, kontributin e tij në shtetëndërtimin shqiptar, kontributin e tij në Diasporën shqiptare dhe për karshi këtyre temave të rëndësishme janë edhe kontributet e këtyre autorëve të cilët kanë nxjerrë në pah figurën e Fan Nolit.E kemi vendosur këtë përmbledhje të rëndësishme in memoriam për profesor Nasho Jorgaqin, i cili ishte një nga studiuesit e veprës së Fan Nolit dhe pse ai nuk pati mundësi për të ardhur por mundi të niste kumtesën e tij . Për ne Fan Noli përbën një pikë të rëndësishme kthese në historinë e Shqipërisë e aq më tepër duke qenë edhe 100-vjetori i Marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke ditur që kontributi i Fan Nolit dhe Faik Konicës ka qenë kontribute shumë të rëndësishme në shtetndërtimin shqiptar, për këtë arsye ne ja dedikuam edhe këtyre marrëdhënieve", thotë drejtori i Muzeut Historik, studiuesi Dorian Kocci.

 

Titulli: “Eja ikim”

Autor: Nikolin Gurakuqi

Shtëpia Botuese: UETPRESS

Çmimi: 500 lekë

Me vargjet e poemës “Eja ikim” Nikolin Gurakuqi kapërcen kufijt fizikë. Dashuria e përmallja për birin që mungon prej 10 vitesh, e bën të krijojë një hapësirë të re ku përtej botës së të gjallëve dhe të vdekurëve, shpirtërat mund të takohen.

"Ndonëse i botuar rishtazi e kam shkruar këtë pomë 6 vite më parë. U mbylla në shtëpi tri ditë dhe ndërtova një dialog me botën e përtejme. Nuk është një mesazh thjesht personal, midis meje dhe birit tim, por i drejtohet të gjithë prindërve që kanë humbur fëmijët, si  dhe një koncepti që midis nesh dhe botës së të ikurve ka një hapësirë tjetër. Ka një hapësirë tjetër të ndërmjetme, as jetë as vdekje, është diku, dhe kjo ekziston diku në trurin njerëzor dhe atje ajo është hapësirë kur të dy botët kur bashkohen gjejnë lumturinë e tyre. Pra është një koncept surreal", shprehet autori i librit, regjisori Nikolin Gurakuqi.

 

Titulli: ‘Sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançës”

Autor: Miguel Servantes

Shtëpia Botuese: Albas

Çmimi: 1000 lekë

I nxitur prej vitesh prej dy miqëve të tij Moikom Zeqo e Agron Tufa, përkthyesi Bajram Karabolli përmbush sfidën e sjell në shqip në vëllimin e tij të parë “Sojliun mendjemprehtë, Don Kishotit të Mançës”, të Servantes. E krahasuar me veprat e Shekspirit, “Don Kishoti” i erdhi Shqipërisë thuajse një shekull më parë nga Fan Noli. Me evolimin e gjuhës, por edhe mungesat e pohuara nga vetë përkthyesi në tekst, varianti origjinal i Akademisë Mbretërore Spanjolle, që Karabolli zgjedh, është një pasuri për lexuesit e mundësi për kurrikulat shkollore.

"Unë lexova dhe variant tjetër origjinal dhe e krahasova me botimin e Akademisë Mbretërore të Shkencave dhe isha i bindur plotësisht që ky variant duhej të përkthehej  në shqip. E kam lexuar nga një autor kelian i famshëm Boliano, që thotë se 'Don Kishotin mund ta përkthejë kush të dojë nuk mund ta ndryshojë'... është vepër e tillë, vërtetë një vepër madhore . Dhe të habit autori i shek. XV me një horizont e aftësi kaq të jashtëzakonshme, autor i paarritshëm! Prandaj quhet edhe ndër dy tre kryeveprat madhore të letërsisë botërorre", shprehet përkthyesi Bajram Karabolli.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë