Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me katër tituj të rinj.

-Titulli: “Hejza e Pashkut”
Autor: Behar Gjoka
Shtëpia Botuese: BUZUKU
Çmimi: 6 euro

Anton Pashku si një realitet letrar e gjuhësor që duhet zbuluar. “Hejza e Pashkut” (shtëpia botuese “Buzuku”) me autor Behar Gjokën shpalos përmes një studimi 15-vjeçar një prej shkrimtarëve më të jashtëzakonshëm të letërsisë moderne shqipe. Gjoka analizon në librin e tij dramën, tregimin, romanin dhe “hejzën” e lartësisë estetike që e ndan atë nga të tjerë autorë.

-Titulli: Kohë dashurish të harruara
Autor: Ardian Cerga
Shtëpia Botuese: Albas
Çmimi: 1300 lekë

Me një galeri personazhesh real, ku vendos veten në qendër, Ardian Cerga, sjell në një rrëfim të sinqertë e të drejtpërdrejtë “Kohë dashurish të harruara” (Shtëpia Botuese “Albas”).  Një roman  që flinte tek ai prej vitesh dhe që e  shkruan në vetëm 25 ditë. Copëza nga jeta e aktorit prej largimit të tij në Berat, kufizimeve për të ushtruar profesionin, dashuritë, deri tek elementët më thelbësorë të jetës, gjatë sistemit që lamë pas. Shikon sot pika të ngjashme, e përmes botimit të tij, kërkon të trokasë në kujtesë, për të zgjuar memorien për atë që ka ndodhur përmes përvojës personale.

Titulli: “Kalendari i ëndrrave të mollës”
Autor: Natasha Shuteriqi
Shtëpia Botuese: Albas
Çmimi: 400 lekë

I përzgjedhur në Panairin e Librit si vepra më e mirë në letërsinë për fëmijë për këtë vit,  “Kalendari i ëndrrave të mollës” (Shtëpia Botuese “Albas”), është më shumë se një libër. Proza poetike e autores Natasha Shuteriqi ndihmon vogëlushët në zhvillimin e komunikimit e mendimit kritik përmes një dialogu, mes fëmijës e mollës.

Titulli: “Ëndrrat dhe dashuritë e një jete”

Autor: Mihail Karagacis
Shtëpia Botuese: Pegi
Çmimi: 2000 lekë

“Ëndrrat dhe dashuritë e një jete” (Botimet Pegi), një nga romanet më të njohura të letërsisë moderne greke vjen për herë të parë në shqip, me një gjuhë të pasur e të rrjedhshme nga Romeo Çollaku.  Libri është pjesë e koleksionit skandal të shtëpisë botuese “Pegi”.