Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj.
Titulli: “Antologji e kompozitorëve kosovarë”
Përgatiti: Liburn Jupolli
Shtëpia Botuese: “Magmus”
Çmimi: 8000 lekë
Duke u përqendruar tek muzika klasike artistike, zhvillimi i kompozicionit në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit, vjen i dokumentuar në një botim, të promovuar rishtazi në Akademinë e Shkencave Shqiptare. “Antologjia e kompozitorëve kosovarë”, nisur nga viti ‘2000 sjell në 560 faqe, mbi 30 emra të rinj të kompozicionit, krijimtarinë dhe partiturat e veprave.
“Është një fazë e zhvillimit shumë specifike, dhe me disa elementë të veçnatë ku vërehen emra të rinj, duke përfshirë dhe një prezencë të shtuar të femrave kompozitore, stileve të ndryshme. Sidomos pas Luftës në Kosovë, ka disa zhvillime, që unë bashkë me kolegët kemi menduar se është e domosdoshme të dokumentohen, sepse në përgjithësi dhe dokumentimi tek ne në Kosovë është mjaft i mangët, çka ka nisur të ndryshojë në 5 vitet e fundit. Në bazë të studimeve të mia, një pjesë e konsiderueshme e kompozitorëve tanë ende e vazhdojnë përpjekjen për të ruajtur folklorin tonë, që është me shumë rëndësi. Edhe natyrisht, zhvillimin e një shkolle të re kompozicionale. Në këtë botim, janë mbi 7 kompozitorë që janë fryt i shkollës së parë të mirëfilltë të kompozimit në Kosovë, nga viti 2002-2003 e tutje nga prof.Mendi Mengjiqi, një nga të parët e kësaj shkolle që ka prodhuar kompozitorë të mëdhenj në numër”, shprehet botuesi Liburn Jupolli.
Titulli: “Moikom Zeqo - ZODIAK”
Autor: Josif Papagjoni
Shtëpia Botuese: “Erik”
Çmimi: 1500 lekë
Të lidhur nga një miqësi e kahershme, dhe si njohës i veprës së tij, studiuesi Josif Papagjoni sjell poliedrikun Moikom Zeqo, parë si “Zodiak jete, letërsie e atdhetarie”. Bazuar në biseda, episode, vrojtime të thekëta, jeta e eruditit përshkruhet në kapitullin kryesor, të ndarë në 12 nyje të para, ku shfaqet karakteri i tij. Në pjesën e dytë, Papagjoni analizon veprat kryesore, kontributin në letërsi, histori, arkeologji, libra studimorë të shkrimtarit që konsiderohej si ‘bibliotekë lëvizëse’.
“Ky është një libër për një njeri të shquar të dijes në Shqipëri. Për fat, unë kam pasur miqësi të hershme me Moikomin që kur ka qenë i ri. Edhe më pas, kur ai u afirmua si një poet post modern në fund të viteve ’60 e fillim të viteve ’70. Si një nga poetët prijës, mendje hapur të letërsisë shqipe, që për fat të keq u godit siç u goditën dhe të tjerë pas plenumit të IV-tërt. Por, Moikomi kishte gjithë energjinë e duhur, për të ndërtuar paradigmën e zogut feniks që lind nga hiri, dhe ai rilindi me kulturë, në art, në letërsi. Ishte jo thjesht erudit, por edhe prodhimtar i jashtëzakonshëm i krijimtarisë. Mund të ketë mbi 100 tituj librash, punëtor i madh i mendimit. Bisedat e shumta me Moikomin më kanë lënë mbresë si dhe dimensioni kulturologjik i tij. Se ai nuk është vetëm shkrimtar, në fushën e diturisë ishte model enciklopedik. Ishte njohësi madh i mitologjisë ilire, arbërore e shqiptare. Njohës i madh i mitologjisë biblike e kuranore, ishte arkeolog, historian, estet, sepse kishte njohuri të jashtëzakonshme për të gjitha rrymat që ndërtojnë letërinë e mendimin”, rrëfen studiuesi Josif Papagjoni.
Titulli: ‘Kur bota ishte në gjumë’
Autorë: V.Blloshmi & G.Leka
Shtëpia Botuese: “Edualba”
Çmimi: 1200 lekë
Jeta letrare e dy poetëve martir Vilson Blloshmi dhe Genc Leka të ekzekutuar në ’77-ën, vjen përmes botimit “Kur bota ish në gjumë”. Në këtë libër krijimtaria e autorëve, shoqërohet me interpretime e komente nga studiuesit Elida Qenami dhe Eris Rusi, si dhe grafikat e artistit Anastas Kostandini.
“Lexuesit i mundësohet jeta letrare e dy poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka. Dhe është një hapësirë e pamat e një përfytyrimi poetik dhe krijues që i sjell të dy këta poetë dhe krijues që i sjell të dy këta autorë, përtej çdo konotacioni historik dhe biografik, si krijues të mirëfilltë që kanë një zë të ndjeshëm, kanë një melankoli, kanë një rebelim dhe një esencë edhe në mendim edhe në atë filozofi të botëkuptimit të tyre, që besoj do të jetë e vlefshme për lexuesit e rinj, për lexuesit bashkëkohorë, për ata të cilët me të djeshmen historike kanë pak informacion, por që mund të përfitojnë atë që është ngarkesa estetike dhe emocionale e dy poetëve, që unë i konsideroj poet të vlefshëm, që të jenë edhe pjesë e formimit të nxënësve në shkolla”, shprehet studiuesi Eris Rusi.