Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj.
Titulli: “Sonatë në Aushvic”
Autore: Luize Valente
Shtëpia Botuese: “Ombra GVG”
Çmimi: 1300 lekë
Amalia, vajza portugeze e një babai gjerman, vendos të shuajë kërshërinë për të kaluarën naziste të familjes e niset në kërkim të gjyshit, që në ’44-ën kishte kompozuar një sonatë për vajzën hebreje të lindur në kazermat e Aushvic. Romani i shkrimtares dhe gazetares Luize Valentes “Sonatë në Aushvic”, vjen në shqip nga Ermira Danaj.
“Libri ‘Sonat në Aushvic’ vjen nga një shkrimtarja dhe gazetarja portugeze Luize Valente, shqipëruar nga Ermira Danaj. Është një nga historitë tronditëse që lidhen me Luftën e II-të Botërore, por jo vetëm me të, por dhe me kuriozitetin që kanë sot të rinjtë për atë periudhë.
Libri ka të koordinuar dy rrafshe kohorë. I pari, rrafshi historik ku ndodh ngjarja, ku është shkruar një sonat në Aushvicin ku njerëzit vriteshin dhe ku u bë masakra më e madhe botërore në tetorin e 1944-ës. Në Aushvic lind një fëmijë, dhe një oficer gjerman kompozon një sonatë për Arian, vajzën e vogël hebreje që lindi në ato momente të vështira kur gjithë kampi po shfarosej. Është një libër tronditës për ngjarjet që ai sjell, por gjithashtu një libër që u sjell në vëmendje të rinjve historitë që kanë të bëjnë me familjet e tyre.
Amalja largohet nga Evropa deri në Brazilin e largët se atje do gjejë çiftin hebre që ka shpëtuar këtë vajzë me ndihmën e gjyshit të saj. Me shpresën e madhe që do të gjejë dhe gjyshin. Është një nga librat që tregon se si përmes artit njeriu dhe në ditët më të vështira njeriu shpreson dhe jeton. Tingujt e sonatës na sjellin të gjalla emocionet e atyre ditëve, por menjëherë na bëjnë të vetëdijshëm që të jemi koherente me çfarë ndodh dhe me të shkuarën tonë. Historitë njerëzore bëhen të fuqishme përherë dhe sjellin romane të mrekullueshme.
Luize Valente po përkthehet në shumë gjuhë të botës. Ky libër do jetë dhe i ekranizuar. Valente, duke qene gazetare ka ditur të bëjë dhe një skenar të bukur për një film që besoj do ta shijojnë shumë shikues në të gjithë botën”, shprehet botuesja Vasilika Tafa.
Titulli: “Nishanet në formë L-je”
Autor: Alban Tufa
Shtëpia Botuese: “Toena”
Çmimi: 800 lekë
Alban Tufa tërheq vëmendjen e lexuesit me romanin e tij të parë. “Nishanet në formë L-je”, është një sprovë psikologjike e letrare, ku autori zbërthen me mprehtësi fasadën e një familje, ku çdo gjë duket se është siç duhet të jetë. Historia ngjet në periferi, aty ku komunikimi prind-fëmijë, shpesh nuk shkon në thellësi të të vërtetave personale e jetësore. Në rrethana të tilla është Tufa që vendos personazhet e tij, përballë fakteve tronditëse, siç është edhe tradhëtia, ku vëzhgon mandej më tej përjetimet e tyre.
“Është një kombinim i dy ideve. Ideja e parë është një këngë që e këndonte im atë, një fare rapsodije nëse mund ta quaj kështu, mes një motre dhe një vëllai, të cilët njihen si të tille pas shumë vitesh, pasi mbyllen një një dhome martesore. Pra, martohet motra me vëllanë dhe përmes një nishani ata njohin njëri-tjetrin. Pra parandalojnë një incest. Ndërsa elementi i dytë është një histori reale. Dikush kishte njohur një vajzë që e kishte kushërirë të tretë, si pasojë e mos komunikimit me prindërit. Nisur nga kjo unë mendova që të shkruaj një roman. Kjo është fara. Pjesa tjetër është produkte krijimtarie, fantazie, zhvillimi etj. Romani ka disa lloje tradhtish, tradhtia në disa rrafshe, por tradhtia më e madhe është ajo e prindit karshi fëmijëve, që duke tradhtuar njëri-tjetrin ne mënyre të pashmangshme tradhtojnë dhe fëmijët e tyre.
Kjo ndodh në periferi zakonisht, por jo vetëm, ku fëmijët përpiqen që të edukohen me fjalë dhe jo me shembuj apo në praktikë.
Përgjatë gjithë romanit ka një sfond fshati, ngjarjet zhvillohen një një fshat, një fshat sa imagjinar dhe aq real, një një zonë kulturasht të Dibrës. Është zgjedhur në mënyrë të qëllimtë në një fshat me emrin Shterpë, për të dhënë idenë që nuk prodhon asnjë gjë përveç këtyre historive. Kjo atmosferë mbizotëron dhe tërë kohës përpiqet të tregojë se çfarë ndodh në ato familje ku nuk komunikohet dhe s'kanë vëmendje për njëri-tjetrin.
Çfarë mund t’i ndodhë një fëmije që ka idealizuar disa njerëz si më të mirët në botë, prindërit e tij në fakt, që nuk janë ashtu siç duken, apo siç u kanë thënë të tjerët se janë. Çfarë ndodh me këtë njeri? Çfarë do të bëhet me jetën e tij?! Për këtë duhet lexuar romani”, shprehet Tufa.
Titulli: “Manifesti i heroit të përditshmërisë”
Autor: Robin Sharma
Shtëpia Botuese: “Albas”
Çmimi: 1200 lekë
Është bërë udhërrëfyes për shumë njerëz të njohur, shumë nga ndjeksit e leksioneve dhe lexuesit e librave të tij, kanë arritur të përmbushin pikësynimet e tyre. Robin Sharma vjen në shqip nga Albana Kozeli, përmes botimit të pestë “Manifesti i heroit të përditshmërisë”.
“Robin Sharma është konsideruar si një nga njerëzit më me ndikim në të gjithë botën për shkak të leksioneve motivuese dhe serisë ss librave motivues, që janë përkthyer në 92 gjuhë të botës, duke u bërë një ndër njerëzit më me ndikim për shumë kompani, universitete dhe lider botëror. Shtëpia botuese ‘Albas’ duke parë interesin që kishin lexuesit për këtë autor ka sjell pas "Murgut që shiti Ferrarin", "Kush do të qajë kur të vdesësh?", "Klubi 5 e mëngjesit" dhe "Shenjtori, sërfisti dhe sipërmarrësja”, ka sjellë "Manifesti i heroit të perditshmerisë". Ky libër përmban disa leksione për lexuesit se si të arrijnë drejt një jete më të mire, dhe drejt përmbushjes shpirtërore dhe intelektuale.
Sharma, të gjitha përvojat që ka kaluar gjatë 20 viteve që ai është mentor, duke mbajtur fjalime në vende të ndryshme të botës, i ka shpalosur në këtë libër për ta bërë lexuesin të shkojnë drejt talenteve të tyre të fshehura, per të ndezur një zjarr brenda vetes, dhe për të pasur jetën që çdokush do të donte të kishte”, shprehet Sevi Lami, redaktore e librit.