Rubrika 'Në Librari'/ Revista 'Antropologji', minoriteti rom, linguistika e riti! Kryevepra 'Pulitzer' e serisë 'Lepuri' dhe romani 'tronditës' i Moravias

Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj. 

Revista “Antropologji”/ Vëllimi 5

Autor: Grup studiuesish, IAKSA

Botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike

Studiues të Institutit të Antropologjisë Kulturore sjellin në format letër e elektronik vëllimin e 5-të të Revistës “Antropologji”. Studime mbi minoritetin rom, hulumtime në linguistikë, antropologji e mbi ritin, por edhe projektet madhore të Institutit përgjatë vitit që lamë pas pasqyrohen në 162 faqe.

"Autorët janë studiues të Institutit të Antropologjisë. Ervin Kaçiu sjell një artikull mbi minoritetin rom, gjatë periudhës së qeverisjes së Zogut dhe gjatë periudhës nazifashiste. Më pas kemi një kontribut të Jonida Selës, në raport me ritin, një analizë mbi 'Rites de passage' dhe se si mund ti qasemi studimit të ritit në lidhje me të. Më pas kemi një studiuese doktorante nga Amerika,  Carrie Ann Morgan,që gjithashtu sjell një kontribut sa i përket imagjinatës socio-linguistike, rreth Shqipërisë së Mesme. Një element tjetër i rëndësishëm është edhe bibliografia e revistës ‘Kultura popullore’, që ka qenë organ i Institutit të Antropologjisë Popullore, dhe për një kohë edhe i Institutit të Antropologjisë dhe që besoj se do të ngjallë kuriozitet për tu referuar pasi aty janë aritikujt më të rëndësishëm të realizuar në vite.

Përveç kësaj, duke qenë se revista ‘Antropologji’ është edhe një pasqyrë tërësore e punës që ne bëjmë në Institut, një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe aktiviteteve. Ne sivjet kemi mbyllur një projekt shumë të rëndësishëm, mbi 'Atlasin etnografik të fshatit sot'. Dhe ne aty bëjmë një prezantim të punës përmbledhëse, të prezantuar dhe me një konferencë të përmbyllur gjatë vitit që kaloi, si dhe një projekt shumë interesant me që kemi nisur me Universitetin e Regensburgut, që do të zgjasë rreth 7 vjet. Interesant është edhe Laboratori i Antropologjisë Urbane, i cili zhvillohet me grupin ‘ATA’ të Kamzës, dhe që gjithashtu ka sjellë prurje interesante sa i takon hapjes studimore të Tiranës", shpjegon studiuesja Mikaela Minga, kryeredaktore e revistës.

“Lepuri është i pasur”

Autor: John Updike

Shtëpia Botuese: “Albas”

Çmimi: 2000 lekë

E vlerësuar me çmim ‘Pulitzer”, kryevepra e John Updake “Lepuri është i pasur”, vjen pas dy librave të parë të serisë prej katër romaneve për Herri “Lepur” Engstrëmin. Pas ngjarjeve në Amerikën e viteve ’60 tek “Lepur, vrapo” e 10 vite më pas tek “Lepuri kthehet” përkthyesi Granit Zela sjell përmes këtij kapitulli të ri, me personazhe të rinj e të vjetër, në jetën e protagonistit e një panoramë të paharrueshme letrare nga Amerika e Shekullit të XX-të. Kur Herri duket se ka gjetur paqen e thuajse është i plotësuar në të gjitha aspektet, e kaluara i shfaqet në trajtën e një vajze, ndërsa i biri Nelson nis të përsërisë gabimet e dikurshme. Konflikti mes palëve i provokuar edhe nga një trashëgimi, bëhet një shkas më shumë, krahas pasigurisë ekonomike të Amerikës të kësaj kohe, që besimi i personazhit të zbehet.  Por, siç rrëfen përkthyesi, Lepuri vazhdon të ndjekë, ylberin e lumturisë. Autori John Updake është fitues i dhjetëra çmimeve me peshë dhe disa herë kandidatë për çmimin "Nobel"

"John Updake njihet për mjeshtërinë e tij si shkrimtar. AI është autor i 60 librave, 20 romaneve dhe  tregimeve të tjera. Ai ka qenë personalitet i rëndësishëm i “The Neë Yorker”, është vlerësuar për veprën e tij në Amerikë, duke marrë të gjitha çmimet. Dy romanet e fundit, të kësaj sage romanore kanë marrë çmimin 'Pulitzer', pra ai ka marrë çmimin e lexuesit. Gjithmonë përmendet se ai është një Nobelist i pashpallur. Ajo që lexuesi gjen tek ky roman, por edhe tek të tjerët, janë disa shqetësime, të cilat kanë qenë tipike për Amerikën e fundit të shekullit të XX, dhe të cilat janë tipike edhe për shoqërinë tonë, ose do të jenë shumë shpejt. Këto janë çështjet e marrëdhënies familjare, besnikërisë martesore, përballë lirisë së pakufizuar. Marrëdhënien at-bir, droga, divorci, besimi në Zot, seksualiteti, ndryshimi i shprehive të seksualitetit dhe qasja e shoqërisë ndaj kësaj. Si tema e vdekjes, në fakt që prej fillimit. Secili prej këtyre romaneve i thekson këto elementë që përbëjnë këtë sagë romanore, më shumë ose më pak, por të gjitha romanet të ngjallin dëshirën që të lexosh romanin pasardhës", rrëfen përkthyesi Granit Zela.

“Jeta shpirtërore”

Autor: Alberto Moravia

Shtëpia Botuese: “Pegi”

Çmimi: 1500 lekë

Është konsideruar një nga romanet më “tronditës” të Alberto Moravias, për guximin me të cilin autori nxjerr në pah anët më të errëta të qenies njerëzore, Aida Baro sjell në shqip pas “Përçmimit”, librin “Jeta shpirtërore”. Një autor kompleks, që siç thotë Baro, nuk mund të përkthehet pa u studiuar, e që me këtë libër të botuar në ’78-ën, e që i mori 7 vjet, revoltoi kritikën për përshkrimin e pamëshirshëm që i bën shoqërisë plot vese të borgjezisë së asaj periudhe. Për këtë demaskim, ai vë në qendër të historisë, Deziderian, vajzën e birësuar të Violës, një borgjezeje të pasur por të shthurur që e nxitur nga shpirti i revoltës do të shkelë mbi të gjitha të ashtuquajturat vlera borgjeze.

"Në fakt Moravia mbetet aktual. Të shohësh një Big Brother sot, dhe të shohësh marrëdhëniet që ndërtohen brenda një familje si ato që përshkruan Moravia në librin 'Jeta shpirtërore', nuk gjen ndryshime. Gjen dy personazhe që janë të vendosur në Itali, ndërkohë që jemi në Shqipëri, apo në vende të tjera, por në thelb mbetet e njëjta gjë. Natyra njerëzore është e prirur për të bërë qoftë mirë, qoftë keq. Është e prirur për të nxjerrë mllefet dhe urrejtjet e veta. Është e prirur për t'i përligjur të gjitha këto, duke krijuar alibi nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet, pikërisht për këtë ai mbetet shumë aktual. Unë mendoj se Moravia duhet lexuar pikërisht për faktin e të njohurit të vetes. Ne shpeshherë, kur gjendemi përballë dilemash të ndryshme sociale apo morale, themi unë këtë nuk do ta bëja kurrë, ndërkohë që Moravia na vendos një pasqyrë përpara dhe na thotë: "Duke lexuar librin dhe duke shpalosur këto personazhe ti do të ishe në gjendje ta bëje këtë?"  Po duhet t'i përgjigjesh sinqerisht kësaj pyetje. Sepse pikërisht tek sinqeriteti i përgjigjes qëndron dhe ndryshimi që do të bësh ti me veten tënde", thotë përkthyesja Aida Baro.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit