Rubrika “Në Librari” vjen këtë fundjavë me tri tituj të rinj.
Titulli: “Hije në shtratin e mortit”
Autor: Josif Papagjoni
Shtëpia Botuese: “Toena”
Çmimi: 1600 lekë
Me ‘Hije në shtratin e mortit’, studiuesi Josif Papagjoni i rikthehet dashurisë së kahershme, shkrimit të letërsisë. Në qendër të librit të tij është fati dramatik i një gruaje, e gjendur mes lakmisë së mafies, e jo vetëm, për pronat e bashkëshortit të saj, pas vrasjes së tij. Një mori ngjarjesh kobzeza që e çojnë Linditën, në skutat e trafikimit, presioni e metodat më makabre për të abortuar trashëgimtarin, që e bëjnë protagonisten të gjendet mes dilemës, për të jetuar, ose jo.
"Grishjen, ngacmimin libri e ka dramatik. Është një roman i qasjes psikologjike, sepse rrënon vazhdimisht në mendimet, ndjeshmëritë, ankthet, jermin, haluçinacionet e një personazhi kryesor, që është një grua...Sakaq ajo krijon një dialog me fëmijën në bark, të shoqin e vdekur dhe vjehrrën që e do shumë dhe që e kërkojnë. Ky dialog i shumëfishtë që ndërtohet aty, duke përdorur dhe konvencionet e shumta gjithnjë 'hedh ujë' dhe lancon mesazhin e vuajtjes dhe të poshtërimit që mund të pësojë një grua e bukur e dëlirë, kur ka një burrë të pasur, pavarësisht se si e ka bërë pasurinë me prona të trashëgueshme dhe përmes trafikimit. E gjitha kjo krijon ankth, pasi kjo grua e pafajshme vendoset përballë krimit dhe segmenteve të tilla më poshtëruese që në Shqipëri s'kanë qenë të pakta", rrëfen studiuesi Josif Papagjoni, autor i librit.
Titulli: “Rrëfime mbi artin”
Autor: Agim Janina
Shtëpia Botuese: “Univers”
Çmimi: 1000 lekë
Libra, revista, bashkëbisedime me artistë të mëdhenj shqiptarë, mbi 40 vite përvojë kërkim mbi artin pamor, studiuesi Agim Janina, me “Rrëfime mbi artin” përçon të dhënat më thelbësore përmes varkës së krijimtarisë letrare. Në rrugëtimin e tij, prej zanafillës deri në ditët e sotme, krijon një personazh irreal, me të cilin zhvillon bashkëbisedimin, për veprat e artit, rrymat, si dhe autorët. I pari i tetë vëllimeve, që studiuesi synon të botojë, “Rrëfime mbi artin”, vjen si paradhomë, veçmas për adoleshentët e të rinjtë, që kërkojnë të njihen me të dhënat më interesante mbi artin, ardhur në mënyrë të thjeshtëzuar.
"Krijimi i këtij libri nuk vjen në mënyrë të rastësishme. Unë kam vite e vite të gjata duke marrë me artet vizive...Rrëfime mbi artin është pak a shumë si një enciklopedi, ndoshta është fjalë e madhe që unë e përdor, por e them për arsye se aty flitet mbi jetët e artistëve, fenomenet e artit, rrymat e ndryshme, duke nisur që nga zanafilla e artit...
Qëllimi im është të jap një nxitje. Sot kur libri ka rënë shumë, leximi ka rënë shumë, dhe lexuesit pothuajse janë kthyer në një komunitet shumë të vogël. Pra, duke qenë se jemi përballë një tkurrje shumë të madhe të vlerave kulturore, qëllimi im është që t'i nxisë drejt lexuesit drejt dashurisë për artin dhe krijimtarisë", shprehet studiuesi i artit pamor Agim Janina, autor i librit.
Titulli: “Kukulla mbretëreshë dhe tregime të tjera”
Autor: Carlos Fuentes
Shtëpia Botuese: “Albas”
Çmimi: 1200 lekë
Pas 2 vëllimeve nga Carlo Fuentes, përkthyesi Bajram Karabolli, sjell në shqip librin me 7 tregime “Kukulla mbretëreshë”. E konsideruar si një nga veprat thelbësore të letërsisë meksikane, autori, përfaqësues i brezit të realizmit magjik, guxon në epokën e tij, të shkruajë për anët e errëta të shoqërisë, duke e zhbiruar në pikat më të dobëta e cinike të saj. Fuentes është fitues i një sërë çmimesh prestigjioze, ai është nominuar disa herë për “Nobelin” në Letërsi, pa mundur ta fitojë atë.
"Autori është kritikuar në kohën e tij për këto tregime, sepse doli nga ajo vazhda apo hullia e shkrimtarëve bashkëkohës të tij, mirëpo nga ana tjetër, kjo bëri që aio të pëlqehej shumë e madje të ishte edhe nga më të lexuarit e kohës së tij. Fuentes udhëhoqi bashkë me mikun e tij, nobelistin Gabriel Garsia Markez, atë brez shkrimtarësh që u quajtn brezi i tregimeve të magjishme", shprehet përkthyesi Bajram Karabolli.