ITALI - Gjykata e Shkallës së Dytë të Milanos shpalli të pafajshëm sot ish-kryeministrin italian Silvio Berluskoni, i cili akuzohej për marrëdhënie seksuale me një të mitur. Në shkallë të parë, ish-kryeministri u dënua me shtatë vjet burg në rastin e ashtuquajtur "Ruby".

Vitin e kaluar gjykata shpalli fajtor Berluskonin pasi sipas saj ai kishte paguar për të kryer seks me një balerinë 17-vjeçare, Karima El-Mahroug, e njohur si "Ruby ", në një klub nate.
 
Berluskoni po vuan dënimin për shërbim ndaj komunitetit, pasi u dënua për evazion fiskal, në gjyqin e tij për kompaninë mediatike “Mediaset”. Sipas dënimit 77 vjeçari, ndihmon një herë në javë në një azil personat që vuajnë nga sëmundja Alzheimer.

Ai filloi punën në shërbim të komunitetit në maj të këtij viti, ndërsa kjo është çështja e vetme gjyqësore që ai është dënuar, edhe pse ndaj tij ka pasur një sërë çështjesh gjyqësore. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)