Kryetarit i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka bërë që apel për të gjithë qytetarët që të rrisin kujdesit për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Ai thotë se virusi agresiv po rrëzon ditë për ditë shpresat e njerëzve se pandemisë po vjen fundi. Ruçi kujton të gjithë fëmijët e vegjël, prindërit, vëllezërit dhe motrat e qindra shqiptarëve që virusi u ka marrë jetën. Ai u bën të gjithëve thirrje që të zbatojnë me rreptësi masat mbrojtëse nga koronavirusi, të vendosni maskat, të ruani distancën dhe të garantoni higjienën personale e familjare.
Postimi i plotë i Gramoz Ruçit:
Të dashura motra dhe vëllezër, qytetarë të Shqipërisë,
Ju drejtohem sot me dhimbjen që na kanë shkaktuar të gjithëve humbjet e jetëve gjatë ditëve të fundit, sidomos në moshat e reja. Ju drejtohem jo thjesht si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, por si qytetar, si prind, si vëlla dhe si miku juaj. Të gjithë gjendemi para të papriturave dhe rreziqeve të koronavirusit. Pandemia Covid-19 po shoqërohet me shumë të panjohura, të cilat janë të tilla jo vetëm për ne, qytetarët, por edhe për mjekët, epidemiologët, shkencëtarët dhe madje edhe OBSH-në. Virusi agresiv po rrëzon ditë për ditë shpresat e njerëzve se pandemisë po vjen fundi, se virusi po bëhet më pak kërcënues për jetën dhe se moshat e reja janë më të mbrojtura prej tij. Marrja e jetës së mjaft njerëzve në moshë të re është një sinjal që duhet të kapet dhe një mesazh që duhet të lexohet nga të gjithë.
Akti normativ i ka bërë të qarta masat e rrepta që duhet të zbatojmë për të mbrojtur jetët tona, të fëmijëve, prindërve, motrave, vëllezërve dhe gjithë të dashurve që na rrethojnë. Jam thellësisht i prekur dhe nuk më shqiten nga mendja fëmijët e vegjël, prindërit, vëllezërit dhe motrat e qindra shqiptarëve që virusi u ka marrë jetën. Në emër të tyre, në emër të mbrojtjes së jetës, në emër të gëzimeve të përditshme prej të cilave pandemia na ka privuar, në emër të gjithë fëmijëve të Shqipërisë që presin vjeshtën për të filluar shkollat, në emër të gjithë familjarëve e prindërve që i kanë fëmijët në dritën e syrit, ju drejtohem të gjithëve me apelin: Zbatoni me rreptësi masat mbrojtëse nga koronavirusi! Vendosni maskat! Ruani distancën! Garantoni higjienën personale e familjare! Për zhdukjen e koronavirusit nuk mjaftojnë as aktet normative, as masat teknike, as kontrollet nga institucionet dhe policia. Vendimtare është sjellja jonë individuale, familjare, shoqërore e shëndetësore! Vetëm në këtë mënyrë, do të ruajmë jetën tonë dhe mbrojmë jetët e të tjerëve, të dashurve që na rrethojnë dhe të gjithë qytetarëve.