Ruçi mbledh 'Miqtë e fëmijëve': Të miratojmë një rezolutë për të drejtat e të drejtave të tyre

Ruçi mbledh 'Miqtë e fëmijëve': Të miratojmë një rezolutë për të drejtat e të drejtave të tyre

Kuvendi i Shqipërisë njofton se ditën e sotme, kryetari i saj Gramoz Ruçi, thirri mbledhjen e grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”. Përveç deputetëve anëtarë të grupit “Miqtë e Fëmijëve”, në mbledhje morën pjesë edhe Ministrja për Marrëdhëniet me Kuvendin Elisa Spiropali, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Shoqërore Ogerta Manastirliu, drejtues të agjencive shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve si edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve. Ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, z. Roberto de Bernardi.

Në mbledhje u shqyrtua dhe miratua raporti për veprimtarinë e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” për vitin 2018, si edhe kalendari i punës për vitin 2019.

Gjatë vitit 2018, u konstatua një rritje e ndërgjegjësimit dhe ndjeshmërisë së deputetëve, jo vetëm anëtarëve të grupit “Miqtë e Fëmijëve”, por të të gjithë deputetëve të Kuvendit, në funksion të krijimit të një klime mbështetëse për çështjen e fëmijëve.

Ndër arritjet e vitit 2018, Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht Kryetar i grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, përmendi propozimin nga deputetët anëtarë të GDMF të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, i cili u miratua në seancën plenare të datës 11 tetor 2018. Ndryshimet ligjore përcaktojnë procedura të qarta për përcaktimin e pashtetësisë dhe regjistrimin ose lëshimin e dokumenteve të udhëtimit apo qëndrimit për personat në këtë status dhe lehtësimin e barrierave ligjore dhe administrative për të mundësuar regjistrimin e fëmijëve shqiptarë të lindur jashtë vendit, ose edhe të atyre të lindur në Shqipëri, të cilët u përkasin kategorive të margjinalizuara.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit dhe Zëvendëskryetare e Grupit “Miqtë e Fëmijëve”, znj. Vasilika Hysi, prezantoi raportin vjetor dhe kalendarin e punës dhe të aktiviteteve për vitin 2019.

Pas shqyrtimit e miratimit të raportit vjetor dhe kalendarit të punës për vitin 2019, si edhe pyetjeve e diskutimeve të pjesëmarrësve, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, e vuri theksin në disa çështje prioritare të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

“Në Raport problemet duhet të paraqiten me më shumë theks kritik dhe të njëkohësisht të sugjerojnë zgjidhje ligjore dhe politikash. Unë e vlerësoj prezencën dhe kontributin e shoqërisë civile në këtë mbledhje dhe angazhimin e tyre për të drejtat e fëmijëve. Por të gjithë duhet të jemi më racionalë dhe rezultativë. Sugjeroj që së shpejti, të hartojmë një Rezolutë të Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e cila do të specifikojë detyrimet në këtë aspekt për të gjithë institucionet dhe aktorët: Kuvendin dhe komisionet parlamentare, Qeverinë, pushtetin vendor, shoqërinë civile, Avokatin e Popullit dhe institucionet dhe agjencitë e tjera. Përveç kësaj, problemet e fëmijëve duhet t’i adresojmë sipas shkallës së rreziqeve dhe nevojave të tyre specifike, duke synuar trajtimin e problematikave të tyre derisa hyjnë në jetën e pavarur. Duhet të vemë më shumë dhe më mirë në qendër të vëmendjes fëmijët e varfër, fëmijët me nevoja të veçanta dhe paaftësi, por edhe fëmijët jo të varfër, të cilët përballohen nga rreziqe të tjera, siç është dhuna që vjen nga interneti. Fëmijët rrezikohen jo vetëm nga varfëria, por edhe nga dhuna e rreziqet që vijnë prej mirëqenies së lartë të familjeve, të cilat neglizhojnë jo vetëm edukimin, por edhe pasojat te fëmijët të avancimit të vrullshëm teknologjik. Duhet, pra, të arrijmë një ndërgjegjësim politik, popullor dhe kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve, i cili duhet të jetërsohet në ndryshimet e përmirësimet ligjore për mbrojtjen e tyre.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Mbledhja e radhës e grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve” do të zhvillohet në datën 1 prill, në prezencën edhe të znj. Afshan Khan, Drejtoreshë Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në UNICEF, e cila do të vizitojë Kuvendin e Shqipërisë në javën e parë të muajit prill.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Lirimi i Berishës nuk është vendim pafajësie por thjesht masë sigurie

Spahiu: Lirimi i Berishës nuk është vendim pafajësie por thjesht masë sigurie