Ruçi përshëndet 75-vjetorin e krijimit të Brigadës XVI: Ushtria partizane, legjion nderi i kombit

Ruçi përshëndet 75-vjetorin e krijimit të Brigadës XVI: Ushtria partizane, legjion nderi i kombit

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me anë të një mesazhi ka përshëndetur ish-partizanët, veteranët, pasardhësi dhe familjet të dëshmorëve të Brigadës XVI Sulmuese, në kuadër të  75-vjetorit të krijimit të kësaj Brigade.

Ushtria partizane ishte një legjion nderi i kombit shqiptar, tha Ruçi duke shtuar se, “Brigada XVI mund të quhet ndryshe edhe Brigada partizane e rinisë”.

Më pas Ruçi ka thënë se SBrigada XVI luftoi kryesisht në trekëndëshin Berat Lushnje-Fier dhe e shndërroi Myzeqenë në një arenë betejash të përgjakshme kundër nazistëve dhe kolaboracionistëve.

Mesazhi i plotë i Ruçit:

"Të dashur ish partizane dhe ish partizanë, veterane e veteranë të Brigadës XVI Sulmuese heroike, Të nderuar pjestarë të familjeve të dëshmorëve, Të respektuar pasardhës të  veteraneve e veteranëve të Brigadës XVI dhe  të luftëtarëve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, Ju përshëndes të gjithëve në festën e bukur të 75 vjetorit të krijimit të Brigadës XVI  të Ushtrisë së lavdishme të partizanëve shqiptarë.

Gushti i nxehtë i vitit 1944 mund të quhet edhe muaji i krijimit të Brigadave partizane: Brigadës së 14, 16, 18 dhe 19. Ndërkohë që në gushtin e vitit 1943 ishte krijuar famëmadhja Brigada e Parë. Brigada XVI u inaugurua më 20 gusht 1944 në Therepel të Skraparit. Ky formacion i fuqishëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare vërtet u përurua më 20 gusht, por pagëzimin e zjarrit të betejave e fitoreve partizanët e Brigadës suaj e kishin bërë gjatë viteve të luftës për liri. Ky formacion i fuqishëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare vërtet u përurua midis skraparllinjve trima e patriotë të pashembullt, por në përbërjen e vet përfshiu edhe partizane e partizanë, vajza e djem të guximshëm e të sakrificës nga trevat e tjera atdhetare, Myzeqeja, Labëria e Mallakastra.

Brigada XVI u krijua nga bashkimi i ish formacioneve të njohura partizane:  grupi i tretë i Skraparit, grupi i tretë i Mallakastrës, grupi i parë i Kurveleshit dhe grupi i Myzeqesë. Përveç 200 partizanëve të Brigadës  XVI-të, Myzeqeja u bë burim edhe për Brigada të tjera të Ushtrisē partizane: 52 partizanë myzeqarë u rreshtuan në Brigadën e I-rë , 120 në Brigadën e VII-të, 82 në Brigadën e VIII-të, 70 në në Brigadën e X-të etj. Brigada XVI mund të quhet ndryshe edhe Brigada partizane e rinisë. Ndër 560 partizanet e partizanët e saj,  më shumë se 85 përqind ishin në moshë të re, 15-30 vjeçarë dhe rreth 70 prej tyre ishin vajza. Brigada XVI luftoi kryesisht  në trekëndëshin Berat Lushnje-Fier dhe e shndërroi Myzeqenë në një arenë betejash të përgjakshme kundër nazistëve dhe kolaboracionistēve. Brigada XVI  luftoi me një ushtri armike të mirëpajisur me armatimet më të rënda dhe bandat e bashkëpunëtorëve vendas në mbështetje të tyre.

Brigada XVI ngriti në altarin e lirisë 56 vajza e djem të bukur e trima, shumica e të cilëve ranë dëshmorë në lulen e rinisë.

Të dashura motra e vëllezër, Ky vit është viti i 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë dhe kolaboracionistët shqiptarë. Është viti të rikujtojmë se çlirimi i atdheut është rezultat i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të partizanëve shqiptarë, të organizuar në Ushtrinë Nacional-Çlirimtare.

Është viti të rikujtojmë se në rreth gjashtë vjet u ndeshën në beteja të përgjakshme dy ushtri të pabarabarta. Përmbi makinerinë e rëndë ushtarake të pushtuesve e tradhëtarëve, përmbi topat, tanket e avionët  e tyre, luftuan e triumfuan partizanët shqiptarë, të organizuar në ushtrinë e tyre që ushqehej e veshmbathej nga kasollet e varfëra të Shqipërisë dhe bujaria e popullit liridashës. Ushtria partizane ishte një legjion nderi i kombit shqiptar.

Unë shpreh respektin dhe mbështetjen time të fuqishme për Organizatën e Veteranëve të LANÇ dhe Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e Tjerë të Atdheut në misionin dhe kontributin e tyre për të mbrojtuar, lartuar e ndriçuar të vërtetat e pakundërshtueshme të LANÇ ndaj çdo përpjekje për t’i mohuar apo errësuar ato. E kam thënē dhe po e përsëris: Për LANÇ, cilido mund të ketë pikëpamjet e tij, por jo faktet e tij. Dhe faktet flasin se fitorja e LANÇ dhe çlirimi i Shqipërisë janë vulosur me 68 muaj  luftë dhe sakrificat e 70 mijë luftëtarëve dhe 28 mijë dëshmorëve. Si Kryetar i Kuvendit, jam krenar, edhe pse kemi bërë  thjesht detyrën si përfaqësues të popullit, që gjatë kësaj legjislature miratuam ligjin e ri “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, i cili këtë vit ka hyrë në fuqi. Lavdi të përjetshme partizaneve dhe partizanëve të  Brigadës XVI Sulmuese!

Nderim e mirënjohje të pakufishme partizanëve, çlirimtarëve të  Shqipërisë, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e pasardhësve të tyre!", shkruhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, drejtuar ish partizanëve të Brigadës  XVI të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare."

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor