Rudi Vata dërgon Kombëtaren në Euro 24, ish-kapiteni për Report TV: Jasir Asani është ndjerë i diskriminuar, Sylvinho ka sjellë optimizëm

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër kundër Çekisë në "Air Albania", sfidë kjo e vlefshme për grupin E të Euro 2024 dhe që merr jetë në 20:45. Kuqezinjtë mbajnë vendin e parë në grup me 10 pikë, teksa Çekia me një ndeshje më pak ka tetë pikë për vendin e dytë dhe vjen si e pamposhtur.

Sfida nesër në Tiranë do jetë si një finale, me 22 mijë zemra kuqezi që do rrahin në stadium dhe miliona të tjera në mbarë botën. Për emisionin "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv, nga Skocia foli ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata. Për gazetarin Andi Kapxhiu, shkodrani tregoi se Sylvinho ka rritur besimin në ekip, duke formuar një grup të mirë lojtarësh. Për Vatën, Kombëtarja do jetë pjesë e finaleve të Euro 2024 në Gjermani verën që vjen.

"Të dyja skuadrat janë në presion për kreun e grupit, ne nuk kemi qenë në këtë pozitë. Ndeshja është delikate dhe do vendoset nga detajet. Ekipi Kombëtar po rritet në lojë, si grup dhe në mentalitet. Duke pasur parasysh këtë rritje, pikët janë të rëndësishme, por do na shërbejë edhe si eksperiencë. Ndeshja do jetë 50 me 50. Tifozët janë "arma" kryesore. Çekët kanë kaluar shumë në futbollin botëror. Nuk do na çojnë tifozët në Europian, paçka atmosferës. Grupi që ka Kombëtarja pranon edhe stolin dhe jep më të mirën kur futet në fushë", tha Vata.

Më pas ish-kapiteni u ndal edhe te trajneri Sylvinho dhe mënyra si ai e drejton ekipin.

"Sylvinho ka shumë meritë. Kur erdhën në krye të ekipit me Zabaletën, u duk energjia, paçka se vijnë nga Brazili dhe Argjentina, vende që nuk duhen në futboll. Ne kemi nevojë për një trajner që të rritet bashkë me Kombëtaren. Nuk balancohet energjia nëse sjellin një trajner të afirmuar. Askush nuk është i pagabueshëm, por trajneri dhe Kombëtarja po rriten. Kjo është një balancë", tregoi ai.

Sa i takon llogarive, për Vatën shpirti i garës është më i rëndësishëm, pasi do shërbejë edhe për ndeshjet e radhës.

"Mendoj që nesër fitorja dhe barazimi do ishin perfektë. Nëse shpirti i garës do ishte maksimal, kjo do na jepte garanci për dy ndeshjet pas saj. Ne në fillim nuk pretendonim të ishim para Çekisë, jo se nuk janë të pamposhtur. Kemi një kundërshtar që ka eksperiencë, por ne mund të bëjmë më shumë kilometra dhe do përballemi mirë. Performanca, shpirti i garës dhe grupi duhet të jenë bashkë. Nuk ka rëndësi rezultati nesër, të jemi mirë si ekip. Kur të shkojmë në Euro, kundërshtarët do jenë më të fortë dhe vështirësitë më të mëdha. Ndeshja duhet të na rrisë si ekip. Rëndësi ka që grupi po funksionon", tha shkodrani.

Për ish-kapitenin, nuk duhet të bëhen krahasime me lojtarët apo grupet që kemi pasur më parë, pasi çdo sezon dhe trajner sjellin situata të ndryshme.

"Kam pasur trajner Bejkush Birçen. Thoshte që krahasimi gjithmonë çalon. Janë grupe dhe kohëra të ndryshme me atë të De Biasit. Rëndësi ka ku jemi sot, jo në atë Euro 2016. Kishim pritshmëri për në Botëror, por më pas humbëm dhe nuk u rritëm si grup. Kemi Asanin, ka qenë pjesë në Shqipëri dhe nuk i identifikuan cilësitë, është ndjerë i diskriminuar. Ai ka dhënë shkëndija që na kanë bërë të kuptojmë se kemi gabuar në të shkuarën. Kemi fat që kemi këtë staf teknik, që jetojnë në Shqipëri dhe i evidentojnë lojtarët. Energjia pozitive që ka sjellë Sylvinho më bën të jem optimist, por nuk mund të bëjmë gjëra magjike. Ky është një proces në tranzicion, kemi grupin dhe lojtarët që luajnë në Evropë, një brum i ri. Garnitura e një ansambli me lojtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, më jep shpresë. Jemi në rrugë të mbarë, mendoj se do jemi në Evropian", tha Rudi Vata.

Kujtojmë se pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.

 

 

Intervista e plotë

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike