Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari paralajmëroi krijimin e një partie të re si një alternativë për shqiptarët, megjithëse tha se në të ardhmen do të jetë më konkrete në lidhje më këtë çështje. Në një konferencë për mediat, Hajdari foli për lista e hapura, duke sulmuar ashpër kreun e PD-së, Lulzim Basha se gënjeu shqiptarët në 2017 për hapjen e listave duke ua premtuar ato në zgjedhjet e 2021 duke mos pasur një qëndrim koherent si politikan.

Ajo publikoi një video të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha ku thekson se po gënjen shqiptarët në lidhje me listat e hapura ku para 3 vitesh u premtoi hapjen e tyre, ndërsa një ditë më parë doli kategorikisht kundër hapjes së listave.

Sipas Hajdari në politik kërkohet një qëndrim i qartë, por që për Bashën kjo është e vështirë pasi jo vetëm nuk është koherent por nuk mban premtimet e bëra qytetarëve. Hajdari tha se do luftojë deri në fund për listat e hapura dhe se do të dalë në zgjedhje  si Rudina Azem Hajdari dhe jo si goca e Azemit me lista të mbyllura.

"Që në 2017 kur PD hapi fushën elektorale premtoi lista të hapura dhe se lista do të zgjidhej nga qytetarët dhe jo më kryetari i partisë. Një zotim që unë e kam marrë seriozisht dhe se kjo do të jetë beteja që unë kam vendosur për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme. Pra siç e shikoni ky ishte një premtim që nuk u mbaj dhe në fakt në politikë duhet të mbash një qëndrim të qartë dhe të jesh koherent me publikun. Nuk e di nëse e kam këtë prej origjinës apo i ka ardhur koha që të mbahen premtimet ndaj qytetareve. Dua ti them qytetarëve që ajo që kërkoj unë të dal si kandidate në një listë të mbyllur ashtu siç u futa në një të tillë si e bija e Azem Hajdarit, por që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë", tha Hajdari.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:21
Do krijojë parti të re? Hajdari: Shqiptarët kanë nevojë për një alternativë të re

E pyet nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku nëse do të krijojë një parti të re, Rudina Hajdari la të kuptohet se do të ketë një alternativë për të gjithë shqiptarët në atë ardhmen, por që do të shprehet më qartë për këtë çështje në vazhdimësi.

"Kam qenë e qartë  që në zgjedhjet e ardhshme do të garoj dhe listat e hapura janë beteja ime kryesore, do kemi një moment që artikulojmë diçka më të qartë dhe është normale që të krijojmë një alternativë të re dhe kushtet që çdo kush që dëshiron t'i bashkohet alternativës së re që do të shfaqet. Do kemi kohë kur do jem më e qartë për krijimin e partisë së re", tha Hajdari.

Ora 12:16
Hajdari: Pragu 5% është shumë i lartë, do synojmë 3%

Deputetja Rudina Hajdari tha se pragu elektoral prej 5% është shumë larta. Synimi tha Hajdari është që pragu të jetë 3%. "Ky prag është iu larta dhe synojmë një prag më të ulët. Mendoj se duhet të jetë 3 përqind. 5 përqind është shumë i lartë edhe pse aplikohet në vendet si Gjermania. Mendoj që dy synojmë që atë prag ta ulim në 3 përqind", u shpreh Hajdari.  

Ora 12:04
Hajdari: Basha nuk ka qëndrueshmëri, PD-LSI interesa të ngushta familjare

Deputetja Rudina Hajdari thotë se PD dhe LSI përdorën qytetarët për të bërë pazar. Në një konferencë për gazetarët, Hajdari u shpreh se dy forcat e opozitës kanë interesa të ngushta familjare.

"U tha se listat e hapura janë një ndryshim i madh që duan kohë për tu implementuar. Kjo nuk është e vërtetë. Kemi që në 2019 që objekti i reformës zgjedhore u ndryshua me këmbëngulje të madhe që ne të futnim ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave. Më pas u pasua me iniciativën qytetare për hapjen e listave. Ironia këtu është që PD, LSI edhe pse  braktisën mandatet i përdorën qytetarët për të imponuar një agjende që nuk kishin asnjë rol në parlament. Pra ata braktisën vullnetin e qytetarëve dhe i përdoren njerëzit për të bërë pazar.

Nëse PD dhe LSI kërkojnë sërish të imponohen duke thënë se ata do kenë monopolin e opozitës kjo për mua shkon në një shterpë sepse janë në interesa të ngushta familjare. Unë nuk jam në parlament për të mbështetur interesa familjare, por për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.

Unë nuk jam nga ata njerëz që mendojnë se listat e hapura do fusin në parlament kriminelë.  Më vjen keq që Basha nuk arriti dot që të kishte lartësinë e duhur për të mbështetur iniciativën për listat e hapura. Basha nuk e mbajti këtë premtim dhe sot goditi këtë premtim që vetë e ka bërë. Unë mendoj që një politikan duhet të ketë qëndrueshmëri. Listat e hapura është një premtim që po i jepet qytetarëve shqiptarë që nesër ata të zgjedhin atë person që meriton të shkojë në parlament", tha Hajdari.