Rudina Proda vishet me
“personalitetin” e luleve

Rudina Proda vishet me<br />“personalitetin” e luleve
TIRANE- Rudina Proda ka ditur të zgjedh një tjetër komunikim me njerëzit në jetën e saj. Ngaqë nuk e ndjen se duhet të flas shumë, dhuron “një lule për ne”, në fakt shumë lule, shumë ngjyra, ku ka emocione dhe kënaqësi për të gjithë. Faleminderit Rudina! Duhet të shkojmë te Muzeu Historik Kombëtar. Piktorja Rudina Proda me rastin e 35-vjetorit të lindjes së saj po na fton në një spektakël të veçantë ngjyrash. Ajo ka çelur një ekspozitë që e ka pagëzuar me titullin “një Lule për ju”. Lulet janë dhuratat më të zgjuara që njerëzit i japin njëri-tjetrit. Ato të japin shumë mesazhe, pa qenë nevoja të flasësh.

Rudina Proda mbush 35 vjeç dhe në këtë jubile të bukur të moshës së saj ka sfiduar barrierat e autizmit dhe sot ajo vjen si një personalitet i veçantë në artin pamor shqiptar. Tashmë veprat e Rudina Prodës pushtojnë botën e artit. Punimet e saj janë riprodhuar ne dhjetëra ftesa, postera dhe kapakë librash. Ajo tashmë është autore e kompozimeve, peizazheve dhe portreteve të punuara me teknikat nga më të ndryshmet, grafikë, laps me ngjyra, grafit, akuarel, tempera, tush kinez, guash, pastel, akrilik, vaj. Dhe për të bërë një pikturë përdor si telajo të gjitha sipërfaqet e mundshme të materialeve; kanavacë, beze, karton, letër, dru, letër alumini, qelq, etj. Rudina s’e ndërpret kurrë punën e saj, sjell gjithmonë vepra të  reja, duke punuar me seanca, siç shprehet i ati, Vehbi Proda, për të.

Në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar janë plot 39 punime të reja të Rudina Prodës. Janë plot 39 vepra të pikturuara me mjeshtëri në teknikën vaj dhe akrilik, ku mbizotërojnë lulet shumëngjyrëshe, lulet që fërgëllojnë nga jeta e gjallëria, lule të projektuara në botën misterioze të Rudinës. Veprat e kësaj ekspozite kanë një forcë të veçantë shprehëse, sa gjallërojnë përfytyrimin tonë. Në krah të Rudinës qëndron i ati i saj Vehbiu, i cili ndihet mjaft krenar për arritjet e vajzës së tij. Duket sikur ai si askush tjetër e di mirë sekretin e talentit të saj. Për të emocionet nuk kanë të sosur, kur na tregon disa nga mendimet e kritikëve shqiptarë dhe të huaj për piktoren Rudina Proda.

Ja një rast: kritikja dhe gazetarja rumune Iolanda Malamen gjatë një ekspozite që ka hapur Rudina tre vjet më parë në Bukuresht, e mahnitur nga veprat e saj thotë se “Duke mësuar gjithnjë e më shumë për botën që e rrethon, Rudina Proda ka fituar aftësinë e transkriptimit, dhe ndodhet në momentin në të cilin, nga një “rastësi” është transformuar në një artiste me personalitet, ekzistenca e së cilës është pashmangshmërisht e lidhur vetëm me ekzistencën e formave dhe ngjyrave”.

Duke parë ekspozitën e Rudinës shohin se motivet e pikturave janë të larmishme, ku imazhet nuk i ngjajnë kurrë njëri-tjetrit. Ajo që dallon nga piktorët e tjerë është kombinimi i mijëra ngjyrave. Ajo krijon vepra duke i shumëfishuar ato, duke përdorur që nga ngjyrat më të më të forta deri tek ato më delikatet. Ngjyrat janë vetë tema e pikturës së saj, ku njëherë ajo përfshihet tek jeshilja, njëherë tek e kuqja, pastaj shkon tek ngjyrat diellore, zhytet tek të errëtat dhe kështu ajo rikrijon në telajo të gjitha ngjyrat e botës, e ketë herë ua ka falur luleve në tablotë e saj piktorike. Rudina dhe arti piktorik nuk mund të kuptohen të ndara.

Deri në këtë 35-vjetor ajo ka krijuar rreth 4000 mijë punë të mbi 15 teknikave. 2000 prej tyre i ka të regjistruara në qendrën e inventarizimit. Dhe sigurisht duke punuar kështu, Rudina Proda, është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka çelur mbi 100 ekspozita në Shqipëri, si dhe në mbi 22 shtete  të botës ku është vlerësuar nga kritika. Ekspozita personale e piktores Rudina Proda, u çel më datë 11 nëntor në Muzeun Historik Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur deri ne 15 nëntor 2013.
 
Shkrimi u publikua sot (13.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Drejt përfundimit ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar, por kalimi do jetë me pagesë mbi 2.1 euro për mjet

Drejt përfundimit ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar, por kalimi do jetë me pagesë mbi 2.1 euro për mjet