Rudina ka dëshiruar fort që këta njerëz të mblidhen ekskluzivisht për ata që janë brenda librit, siç thotë edhe në intervistën për Shqiptarja.com, por u pa se njerëzit kishin ardhur posaçërisht për autoren. Pjesëmarrësit kanë përcaktuar këtë destinacion, jo se nënçmojnë 31 shkrimtarët e shekullit, por se përpos kësaj përmbajtjeje të gjithë kanë dëshirë t’i dhurojnë një ndjenjë falënderimi për zellin dhe përkushtimin, me të cilin ajo i ra rreth e përqark globit që shkrimtarët me madhështinë e tyre t’i linte pranë e pranë në një bibliotekë të koduar nga fjala shqipe. “E para është fjala”, kujton Rudina Xhunga, dhe ky është shkaku që i mori nga celuloidi dhe i shkroi të gjitha intervistat në faqet e librit. Me këtë libër vjen një bibliotekë e botës në Shqipëri, që është ndjerë kështu edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili ka shkruar edhe parathënien e këtij libri, ku ai vet thekson se gazetarja Rudina Xhunga “endet prej kohësh në bibliotekën e botës”.
Kryeministri Rama u shpreh ditën e hënë në promovim se libri i Rudina Xhungës “i sjell publikut një produkt të intelektit më të lartë të botës së sotme të letrave”. Po a ndihet e kënaqur Rudina Xhunga nga frytet që ka vjelë nëpër në bibliotekat e botës. Jo ajo nuk do gjej dot asnjëherë kohë për vetëkënaqësi Nganjëherë ka edhe pengje të tilla që të shkaktojnë jo pak lëndime në punën e një gazetari.
Ja siç është rasti i Saramagos. Ai vdiq, para se ajo ta takonte. Kështu mes mbresave dhe dëshirës që ne të jetojmë sadopak me fjalët e 31 njerëzve të famshëm të shekullit, Rudina Xhunga shpreh për Shqiptarja.com të tjera emocione dhe mbresa që vijnë pas publikimit dhe promovimit të librit “Shkrimtarët e shekullit”.
Rudina, libri juaj “Shkrimtarët e Shekullit” pati një promovim të suksesshëm, dhe kjo u pa në ditën e sotme në të gjitha mediat. Pyetja e parë që meritoni t’ju drejtohem është: Vërtetë si arritët që të t’i sillni Shqipëri nëpërmjet ekranit 31 shkrimtarët e famshëm si nobelisten Lesing, Pamukun e të tjerë si Saramago, Amos Oz?
-Gjithçka nisi nga një fat i pazakontë. Fati që nisa punë në Top Channel dhe pastaj vazhdoi me guximin, kuriozitetin e pasionin e çdo dite që ishte si dita e parë e punës. Kam guxuar përtej mundësive të mia dhe kam shijuar realizimin e çdo pune si nisjen e një të reje. I tillë është edhe ky moment që po ndajmë bashkë, fillimi i një projekti të ri. Ky them është fati im, që e dua punën, jam mirënjohëse ndaj çdo njeriu që më jep një dorë, një mundësi dhe një shans dhe sidomos nuk i jap kohë vetëkënaqësisë.
Pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama për disa media ka përbërë lajm dhe për ndonjë ka pasur komente me nëntekste të caktuara. Ku hapët shtypin sot në mëngjes cili nga komentet ju la mbresë?
-Çdo lajm ishte një publicitet shumë i mirë për librin dhe përveçse mirënjohëse ndaj çdonjërës prej gazetareve të kulturës, nuk veçoj dot mbresa. Secili e sheh në mënyrën e vet një shfaqje dhe për secilin prej jush personazhet kryesorë janë të ndryshëm. Unë nuk mendoj se jam personazhi kryesor i këtij libri. Unë jam autori në kërkim, në këtë vepër, më shumë se autori në veprim, ndaj i lejoj vetes rol periferik dhe e ndaj qendrën me çdo njeri që është lexues i kualifikuar.
Si e komenton shprehjen e kryeministrit që erdhi në promovim: “u përdora për një kauzë të mirë”, në cilat kontekste diplomatike e përfshini ju këtë frazë?
-Unë nuk e komentoj Edi Ramën. Unë e falënderoj me gjithë zemër.
Cila ishte nxitja e parë që ju çoi në realizimin e këtij libri, tek e fundit një fryt i punë suaj që mund të kishte mbetur vetëm në formë celuloidi?
-Nxitje kanë qenë libra të ngjashëm të kolegëve të mi në botë. Shumë prej tyre bëjnë të njëjtën gjë. E dinë që celuloidi të lë një ditë dhe besojnë se e para dhe e fundit është fjala.
Rudina, ju keni qenë përfaqësuese e një brezi që gjatë leximit të shumtë të librave dashurohej me imazhin e shkrimtarit. Ju ka zhgënjyer ndonjëri prej tyre kur keni pasur fatin ta intervistoni?
-Jo shkrimtarët nuk zhgënjejnë kurrë. Ata mbase edhe të gënjejnë, por jo të zhgënjejnë.
Në të kundërt, cili prej tyre ju ka befasuar dhe është dukur shumë më interesant se çka qenë në vepra?
-Alberto Bevilacqua. Një burrë gjithë mister.
Pak kohë para promovimit në një të përditshme ka dalë me titullin “Shkrimtarët e shekullit që ma ndryshuan jetën”. Ka ndodhur vërtetë një dukuri e tillë tek ju dhe si është përjetuar?
-Po, ma ndryshuan vërtet. Po më mirë se të ta tregoj misterin, Dhurata, provoje vetë. Lexoje dhe besomë, do të ndryshojë dhe jotja.
Udhëtimi juaj në kërkim të këtyre “bibliotekave të gjalla” të shekullit, siç meritojmë t’i cilësojmë, patjetër që është shoqëruar me mbresa të veçanta. A mund të na rrëfeni disa mbresa nga vendet ku keni shkuar e disa nga peripecitë e rrugës?
-Kanë qenë shumë, por mendoj se ato nuk i duhen kujt. Produkti ka rëndësi dhe produkti janë ata. Unë jam vetëm ura. Ky ka qenë në fakt qëllimi, të jem një urë, jo një mur.
E së fundi, ka ndonjë shkrimtar që ju ka mbetur peng që nuk e keni intervistuar?
Saramagon. Vdiq, një javë para ditës kur duhej të realizonim intervistën. Kisha kohë që bëja përpjekje për ta intervistuar. Ndërsa morën përgjigjen dhe duhet të gjenin paratë për rrugën e gjatë e të kushtueshme për të mbërritutr tek ai në ishujt Kanarie vjen e papritura. Sapo kapërcejmë disa nga barrierat me botuesen Arlinda Dudaj, mësojnë se Saramago vdiq. Tronditja qe e madhe.
Edi Rama: Ja pse e çmoj librin e Rudina Xhungës
Na parathënien e librit të gazetares Rudina Xhunga, “Shkrimtarët e shekullit”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkruan se “Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip; falë një shqiptareje, e cila endet prej kohësh në bibliotekën e botës duke ëndërruar ta kapërcejë edhe kufirin e fundit, ku në fund ndalet për t’u kthyer me alibinë e diçkaje të bukur; zëra, që vijnë nga larg përmes një si harte shenjash e kodesh nga ato të thesarkërkimeve, ku papritur sheh vende që i njeh pa i pasë shkelur kurrë, fytyra që i ke dashur dikur edhe pse i sheh për herën më të parë; apo që i ke njohur e dashur përherë, por papritur i gjen krejt ndryshe...”
Rudina Xhunga, kujtime nga intervista me Amos Oz
Ky është një fragment nga fjalët e autores Rudina Xhunga në librin “Shkrimtarët e shekullit”, e cila shruan se “Më kujtohet momenti kur Amos Oz po fliste për prindërit e tij, të cilët nuk jetonin më dhe se si i ftonte herë pas here për një kafe në shtëpinë e tij. Unë nuk e kuptoja se çfarë po thoshte, sepse ai po fliste në gjuhën hebreje. I vetmi njeri që po kuptonte çfarë ai po thoshte ishte përkthyesja. Por, Amos Oz po fliste në atë mënyrë sa unë fillova të qaja edhe pse nuk kuptoja fjalët. Kthej kokën nga përkthyesja për t’i thënë: të lutem më përkthe – dhe pashë që edhe ajo po qante. Unë po qaja për zërin dhe gjestet e tij, ajo po qante prej fjalëve të tij.
Të gjithë në atë dhomë po qanim, prej mënyrës sesi ai po e tregonte. Amos Oz dinte të të prekte edhe pa e kuptuar gjuhën. Pastaj kishte atë përkushtimin ndaj teje sikur donte të të thoshte: keni bërë gjithë këtë rrugë, keni ardhur deri në shkretëtirë për mua. Çfarë mund të bëj për ju? Kujtoj gjithashtu kur u ngrit të më tregonte shkretëtirën dhe në një moment ndalet dhe më thotë: Unë e bëj përherë këtë rrugë. E bëj sepse dua të ridimensionoj veten dhe të kuptoj sa vlerë ka jeta ime. Duhet bërë, në mos përditë, një herë në vit rruga për në shkretëtirë, për të kuptuar sa të mirë e ke jetën, prandaj zgjidh të jetosh. Kështu më tha Amos Oz në fund të asaj bisede në shkretëtirë”
Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)