BUKURESHT - Ish-kryeministri rumun, Adrian Nastase u dënua sot në Gjykatën e Apelit me katër vjet burg për korrupsion dhe shantazh dhe pritet të kthehet në qeli 10 muaj pasi është liruar në kuadrin e një çështjeje tjetër.
 
Ish-kryeministri socialdemokrat i periudhës 2000-04 nuk ishte i pranishëm në sallë në momentin e leximit të gjykimit. Nastase, 63 vjeç, akuzohej për marrjen e ryshfeteve me një vlerë të përgjithshme prej 630 000 euro, në formën e pasurive të importuara nga Kina dhe të punimeve të parimbursuara në dy prej pronave të tij, nga drejtuesja e një kompanie, e cila u emërua më tej në krye të Inspektimit të Punëve Publike.
 
Më tej ai u akuzua për shantazh ndaj një ish-konsulli të Rumanisë në Hong Kong, Ioan Paun, dëshmitar kryesor i akuzës. Nastase gjithmonë i ka kundërshtuar këto akuza, duke u shprehur se kishte qenë viktimë e “proceseve politike”. Bashkëshortja e tij Daniela, është dënuar me tre vjet burg me kusht për përdorim të dokumenteve false.
 
Sipas prokurorëve, në periudhën 2002-2004, çifti Nastase i kishte dhënë personalisht ose me anë të ndërmjetësve rreth 700 000 dollarë konsullit të Hong Kongut, i ngarkuar me ndjekjen e porosive të tyre. Rreth dhjetë kontenierë të mbushur me pasuri në adresë të çiftit janë dërguar me rrugë detare në Rumani, me fatura të rreme.
 
I shqetësuar për gadishmërinë e konsullit Paun për bashkëpunim me hetuesit, Nastase kishte kërcënuar se do të bënte publike deklaratat sipas të cilave diplomati ishte një agjent i shërbimeve sekrete, Këto kërcënime bënë që ai të dënohej për shantazh.
 
Nastase ishte dënuar në qershor 2012 me dy vjet burg për përvetësimin e 1,5 milionë eurove për financimin e fushatës së tij elektorale të vitit 2004, duke u bërë kështu një nga të paktët ish-kryeministra evropian që vuante një dënim me burg për korrupsion.
 
Ai u burgos pas një tentative të dështuar për vetëvrasje dhe kreu një të tretën e dënimit përpara se të përfitonte nga një lirim i parakohshëm në mars 2013. Rumania është bërë objekt mbikëqyrjeje i Komisionit Evropian përsa i takon intensifikimit të luftës kundër korrupsionit në këtë vend.
 
Adrian Nastase është dënuar edhe në vitin 2003 për kontratën e autostradës A1 në Rumani, duke ia dhënë kompanisë Bechtel. Kjo kompani mori mbi 1 miliardë euro për 56 kilometra rrugë.

Kompania Bechtel ka ndërtuar në Shqipëri rrugën e shumë përfolur, atë të Durrës-Kukës-Morinë, ose ndryshe Rruga e Kombit. PS në atë kohë ka akuzar për korrupsion të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha në shuma deri në 250 milionë euro.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)