BUKURESHT- Presidenti rumun, Traian Basescu deklaroi sot se NATO dhe BE duhet të dërgojnë armatime në Ukrainë për ta ndihmuar të luftojë separatistët prorusë dhe kërkoi një ashpërsim të sanksioneve kundër Moskës.
"Qëndrimi im në këshillin evropian do të jetë në mbështetje të Ukrainës, për t'i dërguar armatime me qëllim që të mund t'i bëjë ballë agresionit të Rusisë", deklaroi presidenti rumun në takimin e përvitshëm të diplomacisë rumune në Bukuresht.
Ai theksoi se Rusia, që mban, ushqen dhe ndërton konfliktin në Ukrainë, mund të bëjë gjithçka për të destabilizuar vendin.
Dje, Kievi i kërkoi perëndimorëve një ndihmë ushtarake përballë hyrjes së trupave ruse në lindjen separatiste duke rritur frikën për një luftë të hapur mes Rusisë dhe Ukrainës.
NATO konfirmoi se të paktën 1 000 ushtarë rusë operonin në Ukrainë dhe luftonin përkrah rebelëve, gjë që Moska e përgënjeshtron.
Basescu këmbënguli gjithashtu për një ashpërsim të sanksioneve kundër Rusisë që parashikonin sektorët e energjisë dhe ushtrisë./ATSH/










