/ATSH-AFP/ - Kritikat u shtuan sot kundër Bankës Qendrore të Rusisë, e paaftë që të pengojë rëneine e rublës pavarësisht rritjeve të reja të normave kryesore të interesit që rrezikojnë të peshojnë mbi një ekonomi tashmë të brishtë.

Disa dhjetëra persona manifestuan sot nën dëborë para selisë së Bankës së Rusisë, ndërkohë që monedha ruse vazhdon të bjerë duke kapur vazhdimisht rekorde dobësimi përballë euros dhe dollarit.

Që prej fillimit të vitit, monedha ruse ka humbur 36 për qind të vlerës së saj përballë monedhës së përbashkët evropiane dhe 42 për qind përballë kartmonedhës së gjelbërt, e dobësuar nga sanksionet e vendosura kundër Moskës për shkak të krizës ukraianse dhe së fundmi nga rënia e çmimit të naftës. Inflacioni pritet të arrijë 10 për qind deri në fund të vitit.

Sot në mëngjes, një euro shkëmbehej me 72,13 rubla, që nuk ka ndodhur asnjëherë, ndërsa një dollar u shkëmbye me 57,98 rubla.
Rënia e rublës ka detyruar institucionin që të veprojë gati për ditë që prej fillimit të muajit, duke shpenzuar gjithsej 5,5 miliardë dollarë, por pa sukses.