MOSKË - Forcat ruse do të modernizojnë dhe rihapin në Krime një stacion radarësh antipredhë, i ngritur në epokën sovjetike në këtë gadishull ukrainas të bashkuar në mars me Rusinë, njoftoi sot një përgjegjës i lartë rus i mbrojtjes.
"Stacioni radar 'Dnepr', që ndodhet në Sevastopol, do të vihet në punë pas modernizimit dhe do të bëhet operacional në vitin 2016?, deklaroi komandanti i forcave speciale dhe ajrore ruse, Alexandre Golovko, i cituar nga agjencia ruse e lajmeve, TASS.
Ndërtimi i këtij stacioni në Krime u krye në vitet 1970 nga autoritetet sovjetike, dhe i është lënë me qera nga Rusia Ukrainës për shumë vite pas rënies së BRSS-së, para se të braktiset.
Në korrik, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia duhet të rikonstruktojë infrastrukturën ushtarake në Krime, për të përforcuar mbrojtjen e vendit si përgjigje ndaj përforcimit të pranisë së NATO-s në Evropën Lindore dhe kryesisht në Detin e Zi dhe Detin Baltik.
Më shumë se 86 miliardë rubla (1,75 miliardë euro) do t'i kushtohen zhvillimit të flotës në Detin e Zi, të vendosur në Sevastopol, deri në vitin 2020, sipas ministrit rus të Mbrojtjes, Serguei Choigou./ATSH/