MOSKË, 3 shtator /ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Vladimir Putin paraqiti sot një plan prej shtatë pikash për zgjidhjen e krizës në Ukrainë duke shpresuar për një marrëveshje përfundimtare mes Kievit dhe rebelëve prorusë.
"Kam projektuar disa ide, një plan veprimi përsa i përket zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë". deklaroi Putin, në diskutimet e tij, transmetuar nga stacioni televiziv "Rossia 24", gjatë zhvillimit të një vizite në Mongoli.
Sipas presidentit rus, "duhet para së gjithash t'i japim fund operacioneve ushatarake në rajonet e Donetskut dhe Luganskut, si nga ushtria ukrainase ashtu dhe rebelët".
Putin propozoi gjithashtu një tërheqje të forcave të armatosura ukrainase në një distancë të mjaftueshme për eliminimin e të shtënave të artilerisë kundër rajoneve pranë zonës së konfliktit, për vendosjen e një kontrolli ndërkombëtar për aplikimin e një armëpushimi të ardhshëm dhe për të hequr dorë nga përdorimi i forcave ajrore kundër civilëve.
Tre pikat e tjera janë një shkëmbim i të burgosurve të luftës, pa kushte paraprake, hapja e korridoreve humanitare për refugjatët dhe livrimi i ndihmës humanitare në lindje të Ukrainës, si dhe dërgimi në këtë rajon i ekipeve të ngarkuara me rindërtimin e infrastrukturave të dëmtuara gjatë konfliktit.
"Mendoj se një marrëveshje përfundimtare mes autoriteteve ukrainase dhe atyre të juglindjes së Ukrainës mund të arrihet dhe vendoset më 5 shtator, gjatë një takimi të grupit të kontaktit mbi zgjidhjen e konfliktit në këtë ish-Republikë sovjetike", theksoi Putin.
"Kam zhvilluar sot në mëngjes një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Petro Porochenko dhe pikëpamjet tona përsa i përket zgjidhjes së konfliktit ishin shumë të përafërta", theksoi ai.
Nga ana  e tyre, separatistët prorusë të "Republikës popullore të Donetskut", të vetëshpallur, janë shprehur të gatshëm për t'i dhënë fund veprimeve ushtarake, nëse ushtria ukrainase tërhiqet nga lokalitetet që ndodhen në këtë rajon./
/ec/  a.jor.