Rubla ruse theu sot një tjetër rekord të ri historik përballë dollarit, duke vazhduar rënien e saj të shkaktuar nga kriza ukrainase, sanksionet ekonomike perëndimore të ndërmarra kundër Moskës dhe nga rënia e çmimeve të naftës.

Sot dollari u shkëmbye me 43,03 rubla, duke kaluar një nivel tjetër psikologjik, atë të 43 rublave.

Njëkohësisht, treguesi RTS (që shprehet në rubla) në Bursën e Moskës ra me 1,14 për qind.

Që prej fillimit të tetorit, rubla gati çdo ditë thyen rekorde dobësimi përballë dollarit dhe euros, kryesisht për shkak të sanksioneve perëndimore që shtyjnë investitorët e huaj të largohen nga Rusia.

Kriza ukrainase, që shkaktoi një seri sanksionesh nga ana e Perëndimorëve kundër Rusisë për rolin e saj në konflikt, peshon shumë mbi monedhën ruse, që dobësohet edhe për shkak të rënies së çmimit të naftës.

ATSH