Rusia dhe Koreja e Veriut kanë hapur urën e parë përtej kufirit të tyre të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet midis dy vendeve që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Ura një kilometërshe shtrihet mbi lumin Tumen midis Khasan në lindjen e largët të Rusisë dhe Tumangang në Korenë e Veriut, përgjatë një pjese të largët dhe me popullsi të pakët të kufirit të përbashkët të vendeve, vetëm pak kilometra larg bregdetit.

 Kryeministri i Rusisë, Mikhail Mishustin tha se kalimi i ri do të nxisë zhvillimin në një sërë fushash, përfshirë turizmin, ndërsa do të krijojë vende të reja pune.

“Jam i bindur se zgjerimi i infrastrukturës së transportit ndërkufitar do të ofrojë një shtysë të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tregtar, ekonomik, shkencor, teknologjik dhe kulturor”, tha Mishustin.Ura mban emrin e oficerit sovjetik Yakov Novichenko, të cilit i njihet merita për shpëtimin e udhëheqësit themelues të Koresë së Veriut, Kim Il-sung, nga një atentat nga një grup pro-koreano-jugor.

Lidhjet midis Moskës dhe Phenianit janë forcuar që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Koreja e Veriut ka dërguar mijëra trupa në rajonin Kursk të Rusisë për të ndihmuar Moskën të sprapsë një pushtim ukrainas të nisur në vitin 2024.

Në këmbim, Rusia besohet se i ka siguruar Koresë së Veriut raketa mbrojtëse ajrore, pajisje të luftës elektronike, dronë dhe teknologji satelitore spiune, sipas inteligjencës së Koresë së Jugut.