Rusia ka liruar një 74-vjeçar amerikan, i cili ishte burgosur për më shumë se katër vjet nën akuzat se kishte luftuar si mercenar në Ukrainë. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai “është rrugës për t’u kthyer në shtëpi”.

Stephen Hubbard, mësues në pension nga Miçigani, ishte cilësuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së si person i ndaluar padrejtësisht.

Në një postim në rrjetet sociale të mërkurën, Trump tha se Hubbard “u lirua nga burgu me kërkesë të tij, të cilën ia paraqiti drejtpërdrejt presidentit Vladimir Putin gjatë një bisede telefonike javën e kaluar. Stephen është rrugës për në shtëpi dhe së shpejti do të jetë pranë familjes së tij”.

Trump tha se SHBA-ja nuk kishte pasur nevojë t’i jepte asgjë Rusisë në këmbim, “nga respekti për presidentin Trump”.

Hubbard, ish-mësues nga shteti i Miçiganit, u dënua në vitin 2024 me gati shtatë vite në një koloni penale ruse. Autoritetet ruse e akuzuan se kishte shërbyer në një njësi mbrojtëse në qytetin ukrainas të Iziumit, ku dyshohet se u kap nga forcat ruse pak pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022.

Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte klasifikuar më herët atë si person të ndaluar padrejtësisht. Sipas  BBC Hubbard kishte probleme shëndetësore dhe pritet të dërgohet në Teksas për të marrë trajtim mjekësor.

Gjatë takimit në Shën Petersburg, i dërguari amerikan Steve Witkoff vlerësoi vendimin e Putinit për lirimin e Hubbard, duke e cilësuar presidentin rus si një person humanitar.