Rusia dhe tandemi Vuçiç-Thaçi godasin aty ku BE-së i dhemb më së shumti

Rusia dhe tandemi Vuçiç-Thaçi godasin aty ku BE-së i dhemb më së shumti

Harta e Kosovës

Provokimi i tensioneve ndëretnike dhe ndërshtetërore në Ballkanin Perëndimor janë pjesë e strategjisë agresive së Rusisë ndaj Bashkimit Evropian për të ruajtur varësinë e kontinentit evropian nga burimet energjetike ruse. Hashim Thaçi dhe rrethi i tij i ngushtë tashmë janë bërë pjesë paralele e kësaj loje të rrezikshme, lojtarët pro-rus aktiv të cilës në Serbi mund t’i shpëtojnë ata nga burgu i Gjykatës së Hagës, po aq sa edhe BE e SHBA.

S është e mundur që bisedimet për ‘normalizim të marrëdhënieve’ midis krerëve të dy shteteve të shndërrohen në kërcënim të hapur për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e me këtë edhe të vet BE-së? Si është e mundur që vet BE e cila insistoi për dialogun Serbi-Kosovë, 7 vite më vonë të frikësohet tej mase nga po i njëjti dialog, pra nga krijesa e vet? Liderët e shteteve evropiane dhe qeveria e mëhershme amerikane e filluan mbrapshtë dhe në mënyrë krejt naive dialogun Serbi-Kosovë.

Në 2011 ata e futën Kosovën në bisedime ‘teknike’ me Serbinë. 2 vite më vonë e prodhuan marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) me shpresën se duke kënaqur Serbinë me krijimin një territori serb administrativ përbrenda Kosovës sipas modelit të Bosnjës do të përmbyllnin kontestin midis Serbisë dhe Kosovës, do ta ndanin Serbinë nga lidhjet me Rusinë,  e të vënë të dy shtetet në binarët drejt anëtarësimit në BE. 

Tash dialogu ndodhet në fazën e tretë dhe krejtësisht të papritur për vet BE-në e cila edhe i ndërmjetëson këto negociata.

Plani për Asociacioni i Komunave Serbe (AKS) është një premtim që nuk është gjë tjetër veçse mashtrim ndaj palës kosovare nga perëndimorët, BE dhe SHBA, me shpresën për të kënaqur Serbinë që në rrugën e saj për anëtarësim në BE ajo do të heqë dorë nga strategjia e Vladimir Putinit për të shantazhuar BE-në me tensione permanente në rajon.

E pasojë e këtij plani naiv të BE-së, tash Serbia kërcënon edhe më kërkesa të tjera territoriale ndaj Kosovës, paralel me kërcënimet e vjetra që i bëhen BE-së përmes Milorad Dodikut në Bosnjë për shkëputje të Republikës Serbe dhe bashkëngjitje Serbisë.

Në përputhje apo në përplasje me kushtetutën e Kosovës legalizimi i AKS-së për Serbinë nuk është gjë tjetër veçse legalizim i ndarjes së brendshme territoriale në vija etnike të Kosovës për një synim të përgatitjes graduale të copëtimit eventual të saj në një moment më të volitshëm për Serbinë dhe Rusinë e Vladimir Putinit. Kjo ndarje administrative, filloi kur qyteti i Mitrovicës, u nda në dy dysh: Komuna e Mitrovicës Jugore dhe Komuna e Mitrovicës Veriore.

AKS-ja është forma e dukshme e ndarjes së brendshme administrative, ende të pa legalizuar, së Kosovës, sipas modelit të Bosnjës së Daytonit (1995). Në Bosnjë kjo ndarje e mbanë emrin Republika Serbe, e në Kosovë AKS. Që nga viti i kaluar, Vuçiçi e ndryshoi strategjinë e tij të komunikimit publik dhe ai filloi që të  sinjalizoi se ai synon që të marrë diçka më shumë nga Kosova, sesa krijimin e AKS-së.

Fjalori i tij publik tashmë ka marrë formën shtesë : atë të apetiteve të vjetra territoriale serbe ndaj Kosovës. Kjo është goditja e hapur publike e Rusisë, përmes krerëve në Serbi, për brengën më të madhe që ka BE në rajon.  Shto edhe kërcënimet e vazhdueshme të Milorad Dodikut në Bosnjë për pavarësi të Republikës Serbe dhe bashkëngjitje Serbisë, strategjia e Putinit e shantazhimit ndaj BE-së bëhet komplete dhe e përkryer.

Këto dy kërcënime, në Bosnjë dhe Kosovë, e kanë emrin ‘Serbia e Madhe’. Rusia e do BE-në konsumatore të madhe dhe të përhershme të burimeve energjetike të saj dhe nuk e do partnere të SHBA-ve. Serbia, dhe serbët e Bosnjës janë tashmë dora e fortë e zgjatur e Putinit për të krijuar tensione në rajon.

Me kërcënimet e saj Serbia i ka arsyet e veta shtesë ndaj atyre të Rusisë. Ajo përmes Vuçiçit dhe synimeve përbrenda Kosovës me AKS, e tash edhe me kërcënimet për ndryshim kufijsh të jashtëm të Kosovës, i thotë BE-së: po nuk më pranove anëtare të plotë pa e njohur pavarësinë e Kosovës merru tash dhe në të ardhmen me rrëmujë e destabilizim të Kosovës dhe të Bosnjës. Këtyre lojërave të rrezikshme Ruso-Serbe dhe kërcënimeve ndaj BE-së iu është bashkëngjitur edhe Hashim Thaçi, publikisht që nga muaji i kaluar.

Edhe Vuçiçi mund ta shpëtojë Thaçin nga Gjykata Speciale
Nga frika e Gjykatës Speciale e për të ruajtur postin e dominuesit të skenës politike kosovare Thaçi është bërë pjesë e shantazheve ruso-serbe ndaj BE-së. Pra krejtësisht për interesa personale dhe të ndryshme nga ato të Putinit, Vuçiçit e Dodikut.

Por BE dhe administratat e mëhershme amerikane nuk janë të pafajshme në situatën e krijuar tashmë në Kosovë dhe në tendencat e reja territoriale midis Kosovës e Serbisë për shkak të tandemit Vuçiç-Thaçi. Krijimi i Gjykatës Speciale është duke dhënë efekte befasuese dhe krejtësisht të kundërta për BE-në dhe ish-zyrtarët e dikurshëm të qeverisë amerikane që insistuan në këtë gjykatë selektive.

Kundërgoditjet me ndryshim kufijsh dhe territoresh që Thaçi po bënë për të shpëtuar nga aktakuzat e kësaj gjykate nën petkun e ‘paqes’ dhe ‘marrëveshjes historike’ i ka dyfishuar nga pesha kërcënimet ruso-serbe dhe ia ka vështirësuar edhe më shumë punët BE-së, tashmë tejet të shqetësuar për negociatat e rrezikshme Vuçiç-Thaçi.

Gatishmëria edhe e Thaçit për të negociuar ndryshim të kufijve dhe territoreve të Kosovës dhe të Serbisë, është goditja e tij aty ku BE-së i dhemb më së shumti : destabilizimi i vendit dhe rajonit. Dikujt kjo do t’i dukej absurditet. Por, si mund Thaçi të bëhet pjesë e shantazheve ruso-serbe ndaj BE-së? Harrojini fjalët e Vuçiçit e Thaçit për ‘paqe’, ‘stabilitet’, ‘të ardhme evropiane’ të Kosovës dhe të Serbisë përmes një « marrëveshje historike’ » duke ndryshuar kufijtë dhe territoret.

Shiheni efektin gjatë muajit Gusht, të fjalorit publik për gatishmëri të të dyve për ndryshim kufijsh e territoresh. Gjermania dhe shtetet e BE-së ndodhen jashtëzakonisht të frikësuara nga ky tandem. Thaçi tashmë është i shantazhuar edhe nga Vuçiçi. Nëse do të ketë aktakuzë ndaj tij dhe të tjerëve të listës së Dick Martit, është Vuçiçi ai që mund ta shpëtojë Thaçin dhe aleatët e tij të kësaj liste nga burgu.

Loja e Trumpit dhe Boltonit
Shqetësimet e shteteve të BE-së për rrezikun e kërcënimeve të Vuçiçit dhe Thaçit për kufijtë dhe territore morën përmasa serioze së fundi sa që edhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel u detyrua me 13 Gusht që publikisht, në prezencë të kryeministrit të Bosnjës të dalë kundër negociatave për ndryshime të kufijve Kosovë-Serbi dhe në rajon.

Si ndodhi që Vuçiç dhe Thaçi në bisedimet e ndërmjetësuara nga vet BE ta rrezikojnë stabilitetin e rajonit dhe ta frikësojnë pikërisht BE-në? Shqetësimet e qeverive të tjera të BE-së tash po shtohen deri në alarm. E sidomos që kur këshilltari numër një i kryetarit të SHBA-ve, Donalt Trump-it, John Boltoni (njeriu kundërshtar i pavarësisë së Kosovë) doli me qëndrimin e administratës së Trump-it se për ta është i pranueshëm ndryshimi i territoreve nëse të dy palët (Thaçi dhe Vuçiçi) do të pajtoheshin.

Që nga kjo ditë Gjermania (pra edhe BE) dhe SHBA me në krye Trumpin, zyrtarisht dhe publikisht ndodhen në përplasje të hapur për të ardhmen e Ballkanit. Arsyet pse Bolton doli pikërisht gjatë vizitës në Ukrainë me qëndrim të kundërt me Merkelin kanë origjinë dhe dimension përtej Ballkanit Perëndimor. Administrata e Trumpit dhe BE po përplasen ashpër për Iranin.

Goditjeve që Trumpi dhe Boltoni po i bëjnë BE-së në Ballkan tash me rastin e negociatave Vuçiç-Thaçi iu shkojnë shumë për shtati shantazheve të Rusisë dhe kështu tash BE-ja është vënë në sendviç ta jashtëzakonshëm me rrezikun e destabilizimit të krejt Ballkanit Perëndimor.

Frika për destabilizim të Ballkan Perëndimor e dobëson pozicionin e Gjermanisë dhe krejt BE-së rreth Iranit. Biseda telefonike e Merkelit me Trump, ku pjesë e temave nga skena botërore ishin edhe Kosova e Serbia, është kulmi i shqetësimeve të Gjermanisë dhe BE-së për tensionet në rritje në rajon nga bisedimet Vuçiç-Thaçi.

Në krejt këtë gjendje të re nga skena botërore midis supërfuqive, Thaçi tashmë e ka vënë në pozitë të palakmueshme edhe vet shtetin më të fortë evropian, Gjermaninë por dhe krejt BE-në për të ardhmen e rajonit ballkanik, duke patur parasysh rezistencën e madhe në Kosovë dhe gjetiu nëpër shtetet e tjera të rajonit për ndryshime të kufijve dhe territoreve.

Faturën e shpërthimit të situatës do ta paguanin popujt e Kosovës, Serbisë dhe rrjedhimisht edhe krejt Ballkanit Perëndimor, e me këtë pra edhe vet BE. Rusia dhe Trump e zyrtarët e tij, jo.

Gjendja e frikshme e krijuar duhet ndalur 
Jo vetëm që Thaçit duhet mbyllur gojën e dëbuar nga këto negociata me Serbinë,  por Kosova duhet që t’i ndërpres këto bisedime pa asnjë vonesë. Krejt partitë politike të Kosovës duhet rrahur kokën urgjentisht e të ndërtojnë një strategji të re edhe ndaj Serbisë, por edhe ndaj BE-së së frikësuar dhe hutuar.

Krejt procesi duhet shndërruar në pikën zero dhe nisur përsëri nga fillimi. Qasja e BE-së po ashtu duhet që të niset nga zeroja. BE nuk duhet që të gjunjëzohet nga shantazhet e askujt. Kosova nuk duhet që të futet në asnjë lloj negociatash me Serbinë për sa kohë që Trump është në krye të SHBA-ve, por as pa i hapur dhe mbyllur 34 kapitujt e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Kosova dhe Serbia duhet të jenë të barabarta në pritje për hyrje në BE me të njëjtin numër kapituj të hapur e të mbyllur. Kur që të dy palët do të mbeteshin me kapitullin 35, atëherë do të duhet matur dhe testuar vërtetë synimet krerëve të Serbisë nëse duan BE apo jo. Ky sugjerim dikujt kjo do t’i dukej  i çuditshëm kur dihet se pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën.

Por bisedimet Kosovë-Serbi nuk janë midis palëve të barabarta. Serbia nuk e njeh Kosovën. Kosova nuk është e barabartë me Serbinë as në raport me BE-në. Meqë negociatat e deritashme me Serbinë, sipas tandemit Vuçiç-Thaçi tash po tregohen të rrezikshme për stabilitetin e krejt rajonit, Kosova nuk ka çfarë të kërkojë në këto negociata.

Meqë Serbia refuzon që ta njoh pavarësinë e Kosovës me kufijtë e tashëm, strategjia e Kosovës duhet që të ndërtohet jo vetëm në raport me Serbinë, por po aq edhe në raport me BE-në dhe NATO-n.

Shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s (pra edhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën) duhet mbajtur premtimet për anëtarësim në BE. E bashkë me SHBA-të edhe anëtarësim në NATO. Hapja e bisedimeve të anëtarësimit me BE, ( paralelisht edhe ftesa për anëtarësim në NATO) nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës nga shtetet e këtyre dy organizatave. Prandaj Kosova duhet që të insistojë që të lejohet të bëjë këtë hap të parë drejt BE dhe NATO.

Spanja në fillim të këtij viti ka shpërthyer kundër përfshirjes së Kosovës në procesin e zgjerimit të BE-së Por le të merren Gjermania; SHBA dhe shtetet e tjera si ajo që e kanë njohur Kosovën, me Spanjën dhe katër shtetet tjera (Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron) për të hapur dyert e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s.

Le të jetë ky testi vërtetë i premtimeve që vendet e BE-së dhe NATO-s i kanë bërë Kosovës për anëtarësim në këto dy organizata.

Në të njëjtën kohë Kosova nuk duhet të gjunjëzohet e të jap territor apo të lejojë të shndërrohet në Bosnjë me AKS-në, në shkëmbim të hyrjes në BE, NATO e OKB. Nëse Serbia vazhdon të mos e njoh Kosovën dhe kufijtë e saj të tashëm presioni i BE-së duhet drejtuar tek Serbia edhe nëse çmimi do të jetë që Serbia të mbetet jashtë BE-së.

Ish ministri i jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel ishte i qartë kur e tha kështu troç në Shkurt të këtij viti. Kosova dhe shqiptarët janë aleatë të sinqertë e BE-së dhe NATO-s. Serbia e tashme, me krerët e saj dhe serbët si Dodiku në Bosnjë janë dorë e zgjatur e rrezikshme e Rusisë në Evropë.

Këto janë disa nga argumentet me të cilat Kosova duhet të përballet nga presionit naive të BE-së dhe SHBA-ve për ta shndërruar atë në një Bosnjë të dytë përmes AKS-së. Serbia është ajo që duhet të zgjedhë midis BE-së dhe Rusisë, e jo Kosova midis modelit të Bosnjës apo humbjes së territoreve të saj në shkëmbim të hyrjes në BE dhe NATO.

E ndërkohë shqiptarët e Kosovës duhet hequr qafe manipulatorët, shantazhuesit e të shantazhuarit e rrezikshëm nga skena politike. Shto edhe shkatërrimet e dëmet e shumëfishta që po të njëjtit i kanë bërë Kosovës dhe qytetarëve të saj gjatë 19 viteve që nga përfundimi i luftës, dëbimi dhe ndëshkimi i tyre është jashtëzakonisht urgjent. 

(Autori është themelues i agjensionit të lajmeve në gjuhën angleze për Ballkan-BE, dtt-net.com)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kujtim Koroni: 03/09/2018 07:27

    Shqiptarët duhet jenë vigjilentë ......

    Përgjigju
  • Naimi: 03/09/2018 01:56

    Mos flini mbi dafina kini kujdes se ariu polar do tju gllaberoje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë