Rusia nisi sulme me dronë mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës të hënën, duke ndërprerë energjinë elektrike në pesë rajone.
Forcat ajrore ukrainase thanë se trupat ruse kishin lëshuar 145 dronë. Njësitë e mbrojtjes ajrore qëlluan 126 prej tyre.
"Që nga mëngjesi i sotëm, konsumatorët në rajonet Sumy, Odesa, Dnipropetrovsk, Kharkiv dhe Chernihiv janë pa energji elektrike. Puna e riparimit emergjent është duke u zhvilluar nëse situata e sigurisë e lejon.", tha Ministria e Energjisë në një deklaratë.
Në rajonin jugor të Odesës, infrastruktura e energjisë dhe gazit u dëmtua, deklaroi guvernatori rajonal, duke shtuar se një person u plagos në sulm.
DTEK, kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, tha se objekti i saj energjetik në Odesa ishte dëmtuuar, duke lënë pa energji elektrike 30,800 familje.
Një kompani lokale e rrjetit elektrik në rajonin verior të Chernihivit deklaroi se pesë objekte të rëndësishme energjetike u dëmtuan, duke lënë dhjetëra mijëra konsumatorë pa energji elektrike.
Rusia goditi gjithashtu me raketa qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, të hënën në mëngjes, duke dëmtuar ndjeshëm një strukturë të rëndësishme të infrastrukturës.
Moska ka intensifikuar sulmet në sistemin energjetik të Ukrainës, duke përfshirë prodhimin, transmetimin e energjisë elektrike dhe impiantet e prodhimit të gazit, për shkak të temperaturave të ulëta që ndërlikojnë punimet e riparimit.
Sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.
"Të jesh pa energji elektrike për më shumë se 16 orë është e tmerrshme. Dhe kjo nuk është për shkak të kompanive të energjisë, por për shkak të sulmeve cinike nga armiku, i cili po përpiqet të krijojë një katastrofë humanitare.", u shpreh Serhii Kovalenko, drejtor ekzekutiv i kompanisë së shpërndarjes së energjisë Yasno, në Facebook të dielën vonë.
Ukraina shpalli një emergjencë energjitike javën e kaluar, ndërsa rrjeti i saj u shemb për shkak të dëmeve të akumuluara nga lufta dhe një vale të re të bombardimeve ruse.
Ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, tha të hënën se qeveria do të zbatojë projekte për të përmirësuar transmetimin e energjisë elektrike nga pjesa perëndimore e vendit në lindjen e tij të etur për energji.
Komente






