Tre persona, mes tyre edhe një fëmijë, humbën jetën nga sulmet ruse me raketa pranë Kievit gjatë natës, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.
Sipas kreut të administratës ushtarake të rajonit të Kievit, Timur Tkaçenko, raketat goditën zonat në lindje të kryeqytetit. Mbetjet e tyre dëmtuan pallate dhe makina, ndërsa në një ndërtesë shpërtheu zjarr.
Edhe në vetë Kievin ekipet e emergjencës u angazhuan për të shuar flakët në një ndërtesë dhe në një depo karburanti, njoftoi kryebashkiaku Vitali Kliçko.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës publikoi pamje nga vendngjarja, ku shihen garazhe, një biznes dhe një ndërtesë të përfshira nga flakët, ndërsa bëri të ditur se bilanci i viktimave mund të ndryshojë, pasi verifikimet vijojnë.
Sulmet ndodhën vetëm pak ditë pas një tjetër vale goditjesh në Ukrainë, ku humbën jetën 21 persona.









Komente
Komento