Embargoja e Bashkimit Europian për Rusinë, pas tensioneve të fundit mes Perëndimit dhe Moskës, ka bërë që të penalizojë edhe produktet shqiptare të eksportit.
 
Autoritetet ruse kanë bllokuar në doganë 640 kg sherbelë të markës shqiptare, me argumentin se ky produkt ndalohet përkohësisht të importohet në Federatën Ruse.
 
Vendimi i Moskës vjen pak javë pas vendosjes së sanksioneve shtesë nga Bashkimi Europian. Shqiptarja.com është interesuar pranë Ministrisë së Bujqësisë për këtë vendim të autoriteteve ruse dhe ka mësuar se embargoja ndaj produkteve "Made in Albania" është pikërisht hakmarrja ruse ndaj BE-së dhe vendeve partnere me të. 

"Bllokimi i sherbelës lidhet me sanksionet e vendosura nga BE-ja për Rusinë. Ndërkaq, sa herë ka përplasje të Perëndimit me Rusinë, kjo e fundit "hakmerret" ndaj shteteve partnere me BE-në, duke bllokuar importin e produkteve të tyre. Edhe Shqipëria është në listën e vendeve "armike" të Rusisë", thanë burime pranë Ministrisë së Bujqësisë.  
 
Pak ditë më parë, Rusia bllokoi në doganë importimin e 640 kg sherbelë nga Shqipëria. Sipas autoriteteve, embargoja është si rezultat i vendimit të marrë nga Moska për të bllokuar në kufi importimin e sherbelës, pa dhënë afat se sa do të zgjasë kjo masë.

Sherbela shqiptare është tregtuar nga një kompani e huaj në drejtim të Gjermanisë dhe më pas është eksportuar drejt Rusisë, ku edhe është bllokuar. 
 
Mediat ruse: Importimi i sherbelës ndalohet përkohësisht
Mediat ruse raportojnë se Rusia ka bllokuar 640 kg sherbelë, me argumentin se ky produkt ndalohet përkohësisht të importohet nga Federata Rus. Lajmi është botuar në datën 5 dhjetor në median nevnov.ru dhe portale të tjera ruse.

Sipas artikullit, “në portin detar të kufirit verior kryeqytetit rus nga Gjermania mbërriti një parti prodhimi nën karantinë të rrezikut të lartë fitosanitar të – sherbelë (Salvia officinalis) e tharë mjekësore, me origjinë nga Shqipëria" (http://www.fsvps.ru/fsvps/news/19358.html).

"Agjencia federale ruse e Kontrollit Veterinar dhe Fitosanitar (Rosselkhoznadzor) për Shën Peterburgun dhe rajonin leningradas mori vendim të ndalonte hyrjen e 640 kg sherbelë, meqenëse ky produkt ndalohet përkohësisht të importohet nga Federata Rus", njoftoi Rosselkhoznadzor-i, më 5 dhjetor 2016.

Bën përshtypje fakti si dogana, ashtu dhe karantina fitosanitare shqiptare ka lejuar eksportin e kësaj sasie të madhe sherbele në drejtim të Rusisë, kur dihet që Moska nuk lejon importimin e bimëve mjekësore dhe eterovajore nga Shqipëria.

"Më 8 dhjetor, 2014 Rosselkhoznadzor-i imponoi kufizime të përkohshme për importimin e të gjitha produkteve nën karantinë me rreziku të lartë fitosanitar në territorin e Federatës Ruse nga Republika e Shqipërisë dhe më origjinë nga Republika e Shqipërisë”, thuhet në mediat ruse.

Redaksia Online
l.q/​Shqiptarja.com