Rusia i shtyn të rinjtë ukrainas të nënshkruajnë kontrata për të luftuar kundër Ukrainës

Rusia i shtyn të rinjtë ukrainas të nënshkruajnë kontrata për të luftuar kundër Ukrainës

Ushtarë rus

Banorët e rajonit Luhanks të Ukrainës, i cili është pothuajse plotësisht i pushtuar nga Rusia, thonë se oficerët rusë po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i rekrutuar studentët në universitete dhe institute për të shërbyer me kontratë në Forcat e Armatosura të Rusisë.

Duke qenë nuk po i shihet fundit luftës në të cilën janë vrarë apo plagosur më shumë se 315.000 burra rusë, prej se filloi pushtimi i plotë në shkurt 2022 – sipas vlerësimeve amerikane – Qeveria e presidentit rus Vladimir Putin duket se ka për qëllim ta ruajë apo ta rrisë numrin e ushtarëve.

I etur ta shmangë përsëritjen e mobilizimit nga viti 2022, i cili i nxiti qindra mijëra njerëz të ikin nga Rusia, Kremlini po synon të marrë ushtarë me kontratë për ta rritur numrin e trupave në 1.32 milion në vitin 2024.

Në dhjetor 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Seregi Shoigu, ia vuri vetes një synim “top prioritet” që ta ketë një personel me kontratë prej 745.000 vetash deri në fund të vitit 2024, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.

Përpjekjet e Rusisë për rekrutim dhe thirrje në ushtri nuk janë të kufizuara vetëm brenda territorit rus. Derisa është e jashtëligjshme me ligj ndërkombëtar, ushtria ruse synon të rekrutojë burra në pesë rajone ukrainase që Moska pretendon pa asnjë bazë se janë të saj: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson dhe Krimea.

Shumë djem të intervistuar nga Donbas.Realities e Radios Evropa e Lirë në rajonin e Luhanskut, i cili është pothuajse tërësisht nën kontrollin rus, thanë se universitetet dhe institutet janë bërë vende kryesore rekrutimi për forcat ruse.

Serhiy, një student 20-vjeçar në një institut në qytetin Luhansk, tha se afishe rekrutimi për shërbime me kontratë në Forcat e Armatosur të Rusisë janë tashmë të “zakonshme” dhe shfaqen në muret e klasave të studentëve.

“Ne bënim shaka se kjo dukej si një mënyrë për të na motivuar, për shembull, ‘nëse nuk mësoni, do t’i bashkoheni ushtrisë’”, tha Serhiy, i cili, njëlloj sikur të intervistuarit e tjerë, kërkoi që të përdorej vetëm emri i tij nga frika për hakmarrje.

“Standarde sovjetike”

Shënjestër e fletushkave rekrutuese janë studentët e etur për punë. Në to ka premtime për banim falas, kujdes shëndetësor, dhe së paku një muaj pushim me pagesë çdo vit. Pagesa dallon varësisht prej gradës dhe aktiviteteve, ndërsa ka një pagesë shtesë prej 195.000 rublave [2.150 dollarësh] për nënshkrimin e kontratës.

Në përpjekje për t’i bindur për nënshkrimin e kontratave, oficerët ushtarakë rusë, të vendosur “posaçërisht” pranë një instituti të Luhanskut, u afrohen studentëve gjatë pushimeve të gjata, apo pas përfundimit të mësimit, për t’iu kërkuar një cigare apo çakmak, tha Anton, i cili studion atje.

Oficerët të “tregojnë çfarë të ardhme madhështore do të kesh, nëse shkon për të luftuar” dhe të sigurojnë se ushtarët me kontratë në ushtrinë ruse “trajtohen me respekt, vlerësohen dhe mbrohen”, tha Antoni.

Në një postim në rrjetet sociale më 10 prill, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se ushtria ruse “kërkon t’i rekrutojë 400.000 ushtarë me kontratë në vitin 2024.”

Në fillim të prillit, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se më shumë se 100.000 burra kanë nënshkruar kontratë deri tani.

Nuk ka të dhëna zyrtare publike për numrin e burrave në pjesët e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, të cilët i janë përgjigjur kësaj fushate rekrutimi.

Në janar, Qeveria ruse ua lehtësoi burrave mënyrat për t’iu bashkuar ushtrisë, duke e ndryshuar testin e detyrueshëm dypjesësh mjekësor në vetëm një test në zyrat qendrore të rekrutimit ushtarak.

Ihor, një rekrut në rajonin Luhansk, i cili ndodhet në një kamp stërvitor rajonal, tha se oficerët e ushtrisë ruse ndjekin “standarde sovjetike” dhe janë të përqendruar në plotësimin e kuotave, pa u shqetësuar për testet mjekësore.

“Ju shkoni dhe thoni: ‘Dua kontratë’. Ata madje nuk mundohen as të të kontrollojnë. Thjesht të pyesin: ‘Pra, ta shkruaj se ju jeni i shëndosh?’”, tha Ihor, duke cituar përvojat e të afërmve.

Një nënë në Luhansk, Anastasia, tha se “gjuetia” për burra të rinj, të cilët do të nënshkruajnë kontratë me ushtrinë, fillon me studentët e shkollës së mesme të moshës 16-17 vjeç.

Të pajisurit me “pasaportë të brendshme” ruse plotësojnë kushtin për kontratë sapo t’i kenë mbushur 18 vjet dhe të kenë diplomuar nga shkolla e mesme. Regjistrimi për shërbim ushtarak është i detyrueshëm nga mosha 17-vjeçare.

Në muajt e fundit, sipas Anastasias, shkolla e djalit të saj ua ka kujtuar studentëve vazhdimisht afatin e fundit për regjistrim në ushtri. Për t’i nxitur ata, shtoi ajo, shkolla shpesh ka mbajtur takime me të ashtuquajturit “heronjtë e luftës, të cilët u tregojnë studentëve “sa e rëndësishme dhe prestigjioze është ta mbrosh atdheun nga nazistët” – duke iu referuar pretendimeve të rrejshme të Putinit për Qeverinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Anastasia i përshkroi ato si takime pa trysni dhe “biseda normale”, por biri i saj, tregoi ajo, tha se në biseda kishte edhe pyetje “alarmuese” për atë nëse dini “të shtini mirë”.

Premtime boshe

Por, nëse fjalët nxitëse dhe afishet nuk kryejnë punë, zyrtarët rusë përdorin taktikat të tjera, për ta rritur numrin e studentëve të cilët nënshkruajnë kontrata për të luftuar, thanë studentët e intervistuar.

Sipas ligjit rus të zbatuar jashtëligjshëm në pjesët e pushtuara të Ukrainës, burrat nga 18-30 vjeç mund ta shtyjnë shërbimin e tyre detyrues në ushtri, nëse janë duke studiuar në një institut të arsimit të lartë. Por nuk ka garanci për këtë.

Studentët “mund thjesht të “dështojnë” në fund të semestrit, sepse zyrtarët e sigurisë vijnë në universitet dhe shpjegojnë se kanë nevojë për vullnetarë të rinj”, tha Anton.

Serhiy tha për REL-in se ushtria ruse rekrutoi disa shokë të klasës së tij, të cilët nuk i kishin kaluar provimet e semestrit dimëror dhe i dërguan për t’u stërvitur në rajonin rus, Belgorod, i cili ndodhet në kufi me Luhanskin.

“Ata po gërmojnë llogore atje, por askush nuk po i mëson djemtë si të luftojnë dhe mbijetojnë”, tha ai.

Serhiy shtoi se shumë ish-shokë të klasës së tij druajnë se do të dërgohen në vijën e frontit. Megjithëse Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendon se rekrutët nuk po dërgohen për të luftuar në Ukrainë, banorët e Luhanskut e thonë të kundërtën.

Antoni tha se vëllait të tij të madh, i rekrutuar më 2023, iu premtua një vit stërvitje, por u dërgua në kufirin administrativ të Ukrainës në Luhansk dhe në rajonet e Harkivit “brenda pak muajve”.

“Bombardimet ditore dhe luftimet e vazhdueshme e mësuan atë të luftojë – jo rekrutimi”, tha Antoni.

Kievi u ka bërë thirrje ukrainasve nga territoret e pushtuara nga Rusia, të cilët po luftojnë për Rusinë, të dorëzohen “në mundësinë e parë”.

Ihor tha se pesë deri në shtatë studentë në grupin e tij stërvitor nuk duan të luftojnë kundër Ukrainës, por besojnë se, pasi ta kenë kryer shërbimin ushtarak, nuk do të thirren menjëherë për të luftuar në luftë.

Oficerët rusë i kanë thënë atij se mund të thirret “në çdo çast”, pasi të jetë kompletuar rekrutimi i tij.

“Pas shërbimit tuaj ushtarak, ju jeni ende peng”, tha ai.

Kontrata nuk u ofron patjetër mbrojtje më të mirë ushtarëve të papërvojë.

Anastasia tha se djali i fqinjëve të saj të varfër nënshkroi kontratë kur i mbushi 18 vjet, sepse donte të bëhej "i pavarur".

“Prindërit e tij nuk refuzuan. Ata e varrosën atë brenda pak muajsh”, tha ajo. REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë