'Rusia ka shkelur Konventën për Gjenocidin', GJND-ja vendos për juridiksionin ndaj akuzave të ngritura nga Ukraina

'Rusia ka shkelur Konventën për Gjenocidin', GJND-ja vendos për juridiksionin ndaj akuzave të ngritura nga Ukraina

Ndërtesa e GJND-së në Hagë të Holandës. 31 janar 2024

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara më 2 shkurt do të vendosë nëse ka juridiksion në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë pak pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj pothuajse dy vjet më parë.

Rasti i ngritur nga Kievi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzon Rusinë se ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, duke pretenduar rrejshëm se pushtimi i 24 shkurtit të vitit 2022, u nis në mënyrë që të frenojë një gjenocid të supozuar ndaj rusishtfolësve në lindje të Ukrainës.

Në vendimin paraprak, gjykatësit e GJND-së urdhëruan Rusinë në mars të vitit 2022 që të ndalte pushtimin, por Moska e refuzoi vendimin, duke argumentuar se gjykata, që zgjidh mosmarrëveshjet ligjore të ngritura nga shtetet lidhur me pretendimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë ligjore për të vendosur për këtë rast.

Në shtatorin e vitit të kaluar, avokatët e Rusisë i kërkuan gjykatës që ta hidhte poshtë rastin, duke përsëritur qëndrimin se GJND-ja nuk ka juridiksion.

Gjatë asaj seance dëgjimore, Ukraina tha se injorimi i vendimit të gjykatës nga Rusia përbën sulm ndaj autoritetit të GJND-së.

“Çdo raketë që Rusia gjuan ndaj qyteteve tona, e lëshon me kundërshtim me këtë gjykatë”, tha Anton Korynevych, përfaqësues i Ukrainës në këtë gjykatë.

Përderisa vendimet e GJND-së janë ligjërisht të obligueshme, gjykata nuk ka mjete që ato të zbatohen.

Në një rast të ndarë më herët gjatë kësaj jave, GJND-ja publikoi një vendim për një rast të ngritur nga Ukraina kundër Rusisë për financim të terrorizmit, rast që kishte të bënte me aktivitetet e Moskës dhe për “diskriminim racor” nga Rusia pasi Kremlini aneksoi paligjshëm Gadishullin e Krimesë më 2014.

Në vendimin e publikuar më 31 janar, gjykata tha se përderisa Moska ka shkelur traktatet kundër diskriminimit të OKB-së, duke dështuar që të mbrojë arsimin në gjuhën ukrainase në Krime, GJND-ja nuk u pajtua me pretendimin e Ukrainës se Rusia duhet ta kompensojë atë.

Gjykata po ashtu hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Rusia ka diskriminuar tatarët etnikë dhe ukrainasit pas aneksimit të Krimesë.

Në përgjithësi, GJND-ja u pajtua me Ukrainën se Moska kishte shkelur dy nene të traktateve, por refuzoi të tjerat./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Kulluri ironizon Metën: Nëndetsja 105 do rrijë në Shqipëri, nuk kthehet më në bazë, në Shën Peterburg!

Kulluri ironizon Metën: Nëndetsja 105 do rrijë në Shqipëri, nuk kthehet më në bazë, në Shën Peterburg!