Bisedimet fillojnë me garanci sigurie, me Shtëpinë e Bardhë që premton të nënshkruajë një angazhim ligjërisht të detyrueshëm për të mbrojtur Ukrainën në rast agresioni. Qeveria e Uashingtonit ka vendosur të pranojë, edhe pse pjesërisht, ftesën e bërë ditët e fundit nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
Të hënën në Berlin nuk do të mbërrijnë as Donald Trump dhe as sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Presidenti amerikan do të dërgojë, në vend të tyre, dy negociatorët e tij të besuar: dhëndrin Jared Kushner dhe sipërmarrësin e pasurive të paluajtshme Steve Ëitkoff.
Kjo mund të jetë një sinjal se negociatat janë pranë fazës përfundimtare. Por përvoja e muajve të fundit këshillon kujdes: ka ende shumë hapa kyç për t’u përcaktuar. Për më tepër, Moska mban të lartë tensionin. Nga njëra anë me bombardime masive ndaj Odesës, nga ana tjetër me deklaratën e Maria Zakharovës, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse: “Ngrirja e aseteve ruse (e vendosur ditët e fundit nga BE-ja, shën. red.) është një grabitje e thjeshtë dhe banale. Veprimet tona hakmarrëse nuk do të vonojnë”.
Edhe Merz përdori tone të ashpra. Dje ai e krahasoi pushtimin e Ukrainës me dorëzimin e Sudeteve Hitlerit në vitin 1938: “Si atëherë, as kjo nuk do të mjaftojë dhe Putini nuk do të ndalet”.
Në Berlin, Kushner dhe Ëitkoff do të gjejnë, përveç Merz-it, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron, Giorgia Melonin, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe liderë të tjerë.
Edhe të dielën kontaktet mes dy brigjeve të Atlantikut do të jenë intensive. Po tentohet të lidhen dy çështjet kryesore: dorëzimi i territoreve nga Ukraina dhe mekanizmat e parandalimit për të shmangur agresione të ardhshme ruse.
Zgjidhja “nyje” mund të jetë krijimi i një “buffer zone”, një zonë tampon e demilitarizuar që do të ndërmjetësohej mes dy palëve në front.
Vladimir Putin këmbëngul: ukrainasit duhet të dorëzojnë edhe pjesën e mbetur të Donbasit (rreth 14% e sipërfaqes totale) që ende e kontrollojnë. Është një kërkesë absurde, por Trump mendon se ukrainasit nuk kanë zgjidhje tjetër, nëse duan ta mbyllin tani luftën. Dhe pikërisht ky është mesazhi që Ëitkoff dhe Kushner do të çojnë në Berlin.
Kreu i shtetit ukrainas ka kundërshtuar deri tani me vendosmëri. Megjithatë, me kalimin e ditëve dhe rritjen e presioneve, qëndrueshmëria e tij duket më pak e fortë. Në Uashington është vlerësuar pozitivisht deklarata e Zelenskyt: jam gati të shpall një referendum ose zgjedhje politike për t’i lënë popullit të vendosë nëse vendi duhet të heqë dorë nga territore, dhe cilat, në këmbim të një marrëveshjeje paqeje. Në të njëjtën kohë, Zelensky po dyfishon përpjekjet për të siguruar garanci sigurie të besueshme dhe efektive nga SHBA-ja dhe Europa.
Në këtë fazë mbizotëron konfuzioni, me mijëra zëra dhe hipoteza që qarkullojnë nga një kryeqytet në tjetrin. Një nga skemat më të diskutuara bazohet pikërisht te zona e demilitarizuar. Ideja është që ushtria ukrainase të tërhiqet, duke braktisur të gjithë distriktin e Donetskut. Kjo zonë nuk do t’u dorëzohej rusëve dhe Zelensky do të mund të thoshte se nuk po ua jep tokat Putinit, por po krijon një brez të çarmatosur në dobi të sigurisë së Ukrainës. Madje, sipas vizionit të Shtëpisë së Bardhë, ajo zonë mund të shndërrohej në një “zonë të lirë ekonomike”.
Në realitet, është e paqartë se si mund të lulëzojnë tregtia dhe aktivitetet ekonomike mes rrënojave dhe në një hapësirë të mbyllur nga dy ushtri në gatishmëri luftarake. Kjo është kundërshtia e parë që ekipi i Zelenskyt do të ngrejë nesër. Diplomacia e Kievit ka shumë gjasa të shtrojë edhe dy pyetje të tjera: së pari, pse nuk tërhiqet edhe ushtria e Putinit? Së dyti, kush do të kontrollojë në terren që të gjitha armët të tërhiqen?
Të dërguarit amerikanë duhet t’i konfirmojnë Zelenskyt se Trump është gati të angazhohet për mbrojtjen e Ukrainës me një mekanizëm të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s: të gjithë aleatët i vijnë në ndihmë një partneri të sulmuar. Ky premtim është përfshirë tashmë në planin ruso-amerikan me 28 pika, të publikuar më 20 nëntor. Ukrainasit kërkojnë mekanizma të qartë dhe të menjëhershëm ndërhyrjeje, pa pasiguri apo paqartësi: kundërofensiva duhet të nisë menjëherë në rast të një sulmi të ri rus.
Të shtunën, faqja Axios shkroi se administrata Trump do të ishte gati t’i formalizonte këto garanci me një akt të votuar nga Kongresi dhe, për rrjedhojë, ligjërisht të detyrueshëm. Mbetet për t’u kuptuar edhe cili do të jetë kontributi ushtarak i europianëve./Corriere della Sera
Komente










Or zoteri Merz Putini mori kopjen e gjyshit tend se si ta mbroj popullin e vet ne nji shtet tjeter por populli Rusishfoles ne Ukraine nuk eshte nji grup etnike por popullata e dyte ne Ukraine ku ju te perendimit deshtet ta zhdukni pra ndodhi kjo qe ju e fajesoni te gabuarin ,pse nuk e fajasoni Zelenskin se si ti trajtoj popujt tjere qe jetojne ne Ukraine sic trajtohen ne Gjermani.
PërgjigjuE.U.duhet të fijë mirë teorin e KULAÇIT e KËRBAÇIT që luhet midis TREGËTARIT dhe POLITIKANO-USHTARAKUT.Ata jan në një marrëveshie të heshtur.
Përgjigju