Një autokolonë ruse me rreth 300 kamionë është nisur mëngjesin e sotëm për në Luhansk me qëllim për të transportuar ushqim për popullsinë në lindje të Ukrainës. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit, Andriy Lysenko tha se ndihma prej 2 mijë ton mallrash të mbledhura nga banorët e Moskës do të kalojë nëpër një kufi të kontrolluar nga qeveria ukrainase dhe do të jenë të shoqëruar nga zyrtarërë të Kryqit të Kuq.

Ndërkaq, qeveria ukrainase, e zënë në befasi, ka reaguar ashpër duke thënë se nuk do të lejojnë asnjë qasje të ushtrisë ruse në Ukrainë. Në fjalimin e mbajtur gjatë seancës parlamentare, deputeti Oleh Lyashko ka thënë se Rusia po ushqen me gënjeshtra tërë botën, duke e cilësuar veprimin e fundit si “Kalin e Trojës”. Sipas tij, ndihma më e mirë që mund të japë Rusia është të ndalojë vrasjet e ukrainasve, tërheqja nga zonat e kontrolluara dhe kthimi i Krimesë. Shqetësime të tilla janë ngritur edhe nga perëndimorët.

Një ditë më parë, presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso u shpreh kundër veprimeve ushtarake në Ukrainë, nën çdo pretekst, përfshirë edhe atë humanitar. Sipas OKB-së, më shumë se 1100 persona janë vrarë në Ukrainë, që kur rebelët pro-rusë morën kontrollin në lindje të vendit.

Luftimet në Doetsk dhe Luhansk kanë kanë sjellë edhe shumë të evakuuar, shumë prej të cilëve janë larguar edhe në Rusi.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)