Shërbimi i inteligjencës i Rusisë ka deklaruar se tentativa për vrasjen e gjeneralit Vladimir Alekseyev të premten u urdhërua nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, por së fundmi pretendon se e përfshirë është edhe inteligjenca polake.

Rusia nuk ka dhënë asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e saj. Ukraina ka mohuar përfshirjen dhe Polonia nuk i është përgjigjur pretendimit të Moskës.

Shtetasi rus me origjinë ukrainase, Lyubomir Korba u ekstradua në Moskë nga Dubai dje me dyshimin se është i përfshirë në atentatin ndaj Alekseyev.

Sipas Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Korba ishte arratisur në Emiratet e Bashkuara Arabe vetëm disa orë pas sulmit të ndodhur të premten në Moskë.

Gjenerali Alekseyev u plagos në krah, këmbë dhe gjoks gjatë sulmit dhe ndodhet në spital, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

FSB-ja bëri të ditur se një bashkëpunëtor është arrestuar në Moskë, ndërsa një tjetër i dyshuar ka ikur drejt Ukrainës. Moska akuzon Kievin se qëndron pas sulmit që ndodhi një ditë pas bisedimeve për paqen në Abu Dhabi. 

Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov e ka cilësuar attentatin si një akt terrorist nga Ukraina që sipas tij do të sabotojë bisedimet.