Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa, dronë, sulme ajrore dhe artileri mëngjesin e 16 tetorit, në ditën e 600-të që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Ushtria e Ukrainës raportoi se Rusia ka lëshuar dhjetë raketa dhe 12 dronë kamikazë, me forcat ajrore që raportuan se kanë rrëzuar dy raketa që shënjestronin në veri dhe lindje të Ukrainës. Njëmbëdhjetë nga dronët, shumica që shënjestronin perëndimin e Ukrainës, janë rrëzuar, thanë forcat ajrore ukrainase.
“Fatkeqësisht ka të vrarë dhe të plagosur në mesin e civilëve”, tha ushtria ukrainase pa ofruar shifra për të vrarët.
Filip Pronin, guvernator në rajonin lindor të Polltavës, tha se tre civilë janë hospitalizuar pasi ky rajon u godit me dronë dhe raketa. Ai shtoi se ka dëme edhe në disa shtëpi private.
Rusia po ashtu ka kryer sulme me artileri në rajonin jugor të Zaporizhias, raportuan autoritetet rajonale. Disa ndërtesa banimi janë dëmtuar dhe një grua e moshuar raportohet se është plagosur.
Në zonën e Avdijivkës në rajonin lindor të Donjeckut, forcat ukrainase kanë “zmbrapsur mbi 15 sulme të armikut”, tha ushtria ukrainase.
Ukraina raportoi se po vazhdon të mbrojë lindjen dhe jugun e vendit kundër sulmeve ruse, përderisa kundërofensiva ukrainase po vazhdon në juglindje në drejtim të Melitopolit dhe Zaporizhia./REL
Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se nëse Ukraina dëshiron të fillojë negociatat me Rusinë, duhet të anulojë dekretin për ndalimin e negociatave dhe të shpallë gatishmërinë e saj për dialog.
“Presidenti i Ukrainës nxori një dekret që ndalon zhvillimin e negociatave të paqes me të gjithë, duke përfshirë edhe veten. Epo, si mund të negociojë nëse nuk e dëshiron, ata madje kanë nxjerrë një dokument që i ndalon ato negociata”, tha Putin në një intervistë.
Ai shtoi se pala ukrainase, nëse dëshiron të nisë negociatat, fillimisht duhet ta anulojë atë dekret, raportoi agjencia e lajmeve ruse sputniknews.
“Dhe për të shpallur gatishmërinë për ato negociata. Ne jemi të gatshëm, duke përfshirë edhe përdorimin e propozimeve të miqve tanë kinezë. Humbjet e Ukrainës gjatë kundërofensive në krahasim me humbjet e ushtrisë ruse janë afërsisht tetë me një", tha Putin.
Ai gjithashtu shtoi duke thënë: “Ata thanë se do ta mposhtin Rusinë dhe do të fitojnë në fushën e betejës, se do ta mposhtin Rusinë strategjikisht. Ata filluan operacionet ushtarake aktive, të ashtuquajturën kundërofensivë. Ajo ka vazhduar që nga 4 qershori. Ende nuk ka rezultate. Humbjet janë të mëdha, afërsisht një deri në tetë”.