Temperatura në Ukrainë është nën -20°C. Gjatë natës, Rusia sulmoi me 450 dronë dhe mbi 60 raketa, përfshirë edhe raketa balistike me objektiva kryesore centralet elektrike dhe banesat në Kiev, Dnipro, Kharkiv, Sumy, Odesa dhe rajone të tjera.
Ky ishte një bilanc paraprak i sulmeve ruse gjatë natës nga Ministri i Jashtëm ukrainas, Andryi Sybiha i shkruar në X në orët e para të së martës.
Një i vdekur dhe 5 të plagosur u regjistruan në Kharkiv, ndërsa sulmet lanë pa energji të paktën 50 qytete në të gjithë Ukrainën sipas ushtrisë së Kievit.
Presidenti ukrainas, Zelensky akuzoi Moskën se po shfrytëzon ditët më të ftohta të dimrit për të terrorizuar popullsinë në vend që të zgjedhë diplomacinë.
Sulmet ndodhën pas armëpushimit të shkurtër 2 ditor që Moska zbatoi me kërkesë të presidentit amerikan Donald Trump.
Ky i fundit u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se zgjidhja e konfliktit në Ukrainë po ecën mirë dhe mund të pritet që së shpejti të ketë lajme pozitive.
“Mendoj se po ecim shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Po e them këtë për herë të parë. Besoj se ndoshta do të kemi disa lajme të mira.”, theksoi ai.
Deklarata e Trump vjen në prag të bisedimeve trepalëshe që Ukraina do të zhvillojë me SHBA dhe Rusinë në Abu Dhabi të mërkurën, ku raundi i ri negociatave synon të ecë drejt një marrëveshjeje.
Financial Times raportoi këtë të martë se Ukraina ka rënë dakord me partnerët evropianë dhe amerikanë për një plan me disa nivele për të monitoruar dhe zbatuar një armëpushim të mundshëm me Rusinë. Ai parashikon një përfshirje graduale të forcave evropiane dhe, në rast shkeljesh të përsëritura do të ketë edhe mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake nga SHBA-ja.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se sulmet e fundit të Rusisë përfshinin një "numër rekord" raketash balistike dhe ishin të drejtuara qëllimisht ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës ndërsa vendi po ‘ngrin’ nga i ftohti.
Sipas mediave të huaja, lideri ukrainas pretendoi gjithashtu se Rusia “shfrytëzoi” një pauzë të ndërmjetësuar nga Trump në sulme, për të “grumbulluar raketa” në vend që të mbështeste diplomacinë.
Midis më shumë se 70 raketave të lëshuara nga Rusia gjatë natës, 32 ishin balistike, tha Zelenskyy, ndërsa u përdorën edhe 450 dronë sulmues.
“Ishte një sulm i qëllimshëm kundër infrastrukturës energjetike, që përfshinte një numër rekord raketash balistike”, shkroi Zelenskyy në rrjetin social ‘X’.
“Në fakt, ushtria ruse shfrytëzoi propozimin e SHBA-së për të ndaluar përkohësisht sulmet jo për të mbështetur diplomacinë, por për të grumbulluar raketa dhe për të pritur deri në ditët më të ftohta të vitit, kur temperaturat në pjesë të mëdha të Ukrainës bien nën -20°C (-4°F)”, tha Zelensky.
Donald Trump njoftoi të enjten se Rusia kishte rënë dakord të mos e shënjestronte Kievin dhe "qytete të ndryshme" gjatë kushteve të motit të ftohtë, por nuk sqaroi se për sa kohë.
Kremlini tha se kishte rënë dakord për pauzën, në mënyrë që të “krijonte kushte të favorshme” për bisedimet e paqes këtë javë.

Foto: Alexei Navalny
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dënoi Rusinë për "trajtimin çnjerëzor" dhe "ndalimin e paligjshëm" të kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny. Aktivisti karizmatik kundër korrupsionit Navalny u arrestua pas mbërritjes së tij në Rusi në janar 2021. Ai po kthehej nga Gjermania, ku kishte marrë trajtim pas një helmimi të dyshuar në gusht 2020.
Ai vdiq në shkurt 2024 në rrethana të dyshimta në një koloni penale në Arktikun rus. Në vendimin e saj unanim, Gjykata theksoi se arrestimi dhe ndalimi i udhëheqësit të opozitës bazoheshin në "revokimin e pezullimit të ekzekutimit" të një dënimi të vitit 2014 për mashtrim tregtar dhe pastrim parash, të cilin GJEDNJ e kishte dënuar më parë, veçanërisht për shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë.
Gjatë ndalimit të tij, Navalny iu nënshtrua "njëkohësisht formave të shumta të keqtrajtimit" të cilat, "të marra së bashku, pasqyrojnë një shpërfillje sistematike për shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e tij, dhe përbëjnë trajtim çnjerëzor dhe degradues", përfunduan gjyqtarët evropianë.
Udhëheqësi i opozitës ishte ankuar në veçanti për mbikëqyrjen e vazhdueshme me video, "dhe për privimin nga gjumi përmes kontrolleve të sigurisë çdo një ose dy orë". Ai e paraqiti çështjen e tij në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut menjëherë pas ndalimit të tij, më 20 janar 2021.
Pas vdekjes së tij, Gjykata autorizoi të venë e tij, Yulia Navalnaya , të vazhdonte procedurat në emër të tij. Gjykata - e cila në shkurt 2021 i kishte kërkuar pa sukses Moskës ta "lironte menjëherë" kundërshtarin - gjeti shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetën), Nenit 5 (e drejta për liri dhe siguri) dhe Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rusisë iu urdhërua t'i paguante aplikantit 26,000 euro kompensim për dëme jo-materiale. Megjithatë, Moska nuk i konsideron më vendimet e GJEDNJ-së detyruese dhe refuzon të paguajë gjobat. E përjashtuar nga Këshilli i Evropës, anëtar i të cilit është GJEDNJ, në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës, Rusia teorikisht është ende përgjegjëse për shkeljet e mëparshme të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Foto: Volodymyr Zelensky dhe Mark Rutte
Gjatë konferencës për shtyp me Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ka diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për dorëzimin e sistemeve Patriot sa më shpejt.
“Sistemet Patriot i kundërveprojnë raketat balistike në mënyrën më efektive. Kjo do të thotë që na duhen më shumë raketa dhe dërgesat duhet të jenë sa më të shpejta të jetë e mundur. Po punojmë për këtë dhe i jam mirënjohës Mark Rutte sepse ai ka dhënë një ndihmë të madhe. E diskutuam këtë me Markun sot dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të zbatojmë gjithçka që ramë dakord”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Mendoj se të gjithë në Ukrainë e kuptojnë se programi PURL na lejon të prodhojmë raketa të rralla të mbrojtjes ajrore, të cilat vetëm Shtetet e Bashkuara mund t’i prodhojnë. Është e rëndësishme që paketat PURL të financohen plotësisht dhe unë dhe Mark do ta vazhdojmë këtë punë në mënyrë që vendet e tjera të bashkohen duke ndarë fonde për programin”, shtoi ai.
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte ndodhet në Kiev ku është takuar me presidentin e Ukrainës, Volodymy Zelensky.
Rutte dhe Zelensky kryen nderime në "Sheshin e Pavarësisë", në nderim të ushtarëve ukrainas që kanë humbur jetën në luftë.
Vizita e Rutte vjen pasi Rusia nisi sulme masive ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Presidenti amerikan, Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ka përparim për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe së shpejti mund të ketë lajme të mira.
"Mendoj se po shkojmë shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Po e them këtë për herë të parë. Mendoj se mund të kemi disa lajme të mira", tha presidenti amerikan, duke përsëritur se ky është një proces i vështirë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka reaguar pas sulmeve të Rusisë me dronë dhe raketa gjatë natës.
Zelensky tha se Rusia po terrorizon popullsinë ukrainase, duke shfrytëzuar ditët më të ftohta të dimrit dhe nuk përdor diplomacinë.
“Shfrytëzimi i ditëve më të ftohta të dimrit për të terrorizuar popullsinë është më i rëndësishëm për Rusinë sesa përdorimi i diplomacisë. Dhe kjo tregon qartë se çfarë u nevojitet partnerëve dhe çfarë mund të ndihmojë. Furnizimi në kohë i raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe mbrojtja e jetës janë prioritetet tona. Pa presion ndaj Rusisë, kjo luftë nuk do të mbarojë. Tani Moska po zgjedh terrorin dhe përshkallëzimin, dhe kjo është arsyeja pse nevojitet presion maksimal", theksoi ai.
Komente










Ore jetimi i Evropes pa filluar lufta ne Donbas ishte Rusia qe kerkonte shmangjen e luftes me dipllomaci por ju dhe perendimi e refuzuat,a e mbani mend kur Rusia i kerkoj Ukraines te krijonte nji shtet Federativ ,nji shtet neutral ,nji status per Donbasin te gjithat u refuzuan dhe ju zgjodhet luften dhe sot e fajesoni Putinin se nuk don paqe jo ju jeni qe nuk doni kur perendimi vazhdon me dergimin e armeve kurse nga ana tjeter beni kurse ju doni paqe por Ruset nuk jan budallenje dhe nuk ju zbulojne se si veproni prit edhe pak dota humbasish edhe Odesen dhe Karkivin.
Përgjigju