Rusia nisi një valë sulmesh me dronë dhe raketa në Ukrainën të mërkurën në mbrëmje, duke vrarë të paktën 15 persona dhe duke plagosur 90 të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas. Mes viktimave ishin dy të mitur të moshës pesë vjeç dhe një 12 dhe 14-vjeçar.
Sulmet vijnë pas një armëpushimi dy ditor që u arrit gjatë festimeve të Pashkëve Ortodokse në fundjavë, gjatë të cilit të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për qindra shkelje.
“Sulme të tilla nuk mund të normalizohen. Këto janë krime lufte që duhet të ndalen dhe autorët e tyre të mbahen përgjegjës”, tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
Ai u bëri thirrje vendeve të tjera të “ndërmarrin veprime të menjëhershme” duke lëshuar sanksione kundër Rusisë ose duke ofruar paketa mbështetjeje për Ukrainën.
“Të gjitha vendimet e nevojshme për të rritur presionin mbi agresorin duhet të zhbllokohen tani”, shkroi Sybiha në X sot.
Lufta në Ukrainë është tani në vitin e saj të pestë dhe ka pasur disa raunde bisedimesh për paqe, me SHBA-në që vepron si ndërmjetës. Megjithatë, procesi është bllokuar që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e zhvendosi fokusin e tij te lufta në Lindjen e Mesme.
Ajo që Ukraina ka propozuar vazhdimisht është një armëpushim i plotë dhe i qëndrueshëm si hap i parë drejt negociatave për një fund të qëndrueshëm të pushtimit rus. Por Moska këmbëngul që së pari të arrihet marrëveshja e paqes, duke nxitur akuza nga Kievi se Rusia nuk e merr seriozisht përfundimin e luftimeve.
Komente









