Pas dyshimeve se formacioni politik Lega i ministrit të brendshëm Italian Matteo Salvini ka përfituar financime ilegale ruse në këmbim të favoreve ekonomikë, janë ndezur polemika rreth dyshimeve për një sponsorizim të mundshëm të Rusisë për parti apo organizata të ndryshme në Europë.
Në Rusi ekziston një ideologji politike që justifikon ndërhyrjen në politikën e kontinentit të vjetër.
Sipas Vessela Tcherneva, nënkryetare e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, "Doktrina e Euroazisë është një kombinim i gjeografisë dhe i vlerave monetare, të cilat tundojnë shumë njerëz.
Përmes parave, rusët përpiqen të mohojnë iluminizmin europian dhe gjithçka që Europa ka bërë për të drejtat e njeriut, liritë individuale dhe lirinë e shtypit”.
Sipas Tcherneva , “ka shumë njerëz në Kremlin të cilët besojnë se duke nxitur një agjendë kundër homoseksualëve, nacionalizmit, mohimit të të drejtave të njëriut dhe gjithë rregullave europiane, do të arrijnë të ndajnë Evropën edhe me ndihmën e elementëve brenda saj”.
Në lidhje me faktin se disa parti europiane kanë treguar afërsi me Kremlinin dhe teoritë e saj, Tcherneva tha se "Ajo që duhet të bëjmë është të krijojmë një lloj kordoni rreth atyre politikanëve që janë shumë miqësorë me Moskën. Evropa, veçanërisht Parlamenti Europian dhe institucionet e tjera evropiane nuk janë naiv përsa u përket interesave financiare”.
Nënkryetarja e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë është e mendimit se partitë që kanë lidhje të ngushta me Kremlinin, e nënvlerësojnë zakonin e Rusisë për blerjen e politikanëve europianë dhe në këtë mënyrë, ata ndikojnë që Rusia të zgjerojë ndikimin e saj në Europë.
“Kjo taktikë ruse po shpërblen ata që besojnë se Evropa duhet të jetë më sovrane., që shtetet anëtare duhet të jenë më sovrane dhe për fat të keq, në këtë kontekst, kjo shkon në favor të ndikimit rus në Europë.
Shumë studiues të çështjeve diplomatike pohojnë se Rusia po përpiqet të shtojë ndikimin e vet edhe në Ballkanin Perëndimor.
Po sipas tyre, Rusia veç përdorimit të metoda të ndryshme, si propaganda, mediat sociale dhe investimet, synon ta zgjerojë ndikimin e saj edhe nëpërmjet korrupsionit, parave dhe presioneve ekonomike.