Lidhur me amendamentet e propozuara për zgjedhjen e presidentit nga populli, presidentja Vjosa Osmani sqaroi se nuk do të kishin asnjë efekt për pasardhësin e saj. Amendamentet, edhe nëse do të miratoheshin në seancën e së enjtes, do të krijonin mundësinë që në zgjedhjet presidenciale pas 5 vitesh, vullneti të vinte nga populli.
Osmani theksoi se kjo s’do të lidhej aspak me mundësinë për rikandidimin e saj për zgjedhje të reja të këtij momenti.
“Dua të ndalem gjithashtu te një debat që ka dominuar dje gjatë ditës. Dje kam dorëzuar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drjetpërdrejt nga qytetarët. E kuptoj shumë mirë që kjo ka ngritur pyetje. Në një klimë politike të tensionuar, çdo veprim shihet me dyshim dhe çdo vendim interpretohet përtej asaj që mund të jetë e vërtetë. Dua të jem shumë e qartë me qytetarët e Kosovës, këto amendamente s’do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë, për pasardhësin e menjëhershëm të mandatit tim. Vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Edhe sikur këto amendamente të miratoheshin mbrëmë, s’do të ndryshonin asgjë për zgjedhjen e pasardhësit tim. Pas 5 vitesh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli dhe jo tani, s’ka pasur fare të bëjë me mundësinë që unë të rikandidoj për zgjedhje të reja tani. Këto amendamente s’janë hartuar nga unë, janë hartuar nga komisioni kushtetues i vitit 2011. Çdo ndryshim do të nënkuptonte që të riktheheshin përsëri në Gjykatën Kushtetuese”, tha Osmani.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Partitë dështuan të zgjedhin Presidentin, Osmani shpërndan Kuvendin: Këtu na sollën njerëz me qëllime të rrezikshme! Vendi drejt zgjedhjeve të reja












