Bashkia e Korçës ka vendosur që të aplikojë një taksë të re për të gjithë ata pronarë biznesesh të cilët disponojnë një objekt në zonën e Pazarit por nuk e vënë në funksion atë.

Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i cili ka vendosur që të vendosë një taksë me vlerë 100 lekë për metër katror me qëllim që të krijojë klimë të favorshme biznesi në këtë zonë mjaft të populluar.

Por, partia Demokratike e Korçës në një dalje të posaçme për mediat, e ka konsideruar si të pavend këtë taksë që do të aplikohet dhe se rëndon në xhepat e pronarëve të këtyre bizneseve.

"PD Korçë denoncon aktin e paprecedent të bashkisë e cila insiston të vendosë një taksë të re për pronarët e dyqaneve të Pazarit, për ata pronarë që nuk vë në funksion pronën e tij. Me vendosjen e taksës së re bashkia kërkon me vetëdije të fusë në një krizë më të thellë biznesin e vogël. Z. Filo, a e dini se e drejta e pronës është universale? A e dini se struktura ekonomike e këtij vendi bazohet mbi iniciativën e lirë private? Në emër të PD Korçë shprehim mbështetje pa rezerva për çdo pronar që po i cënohet e drejta e lirisë ekonomike.” thotë në deklaratën e saj Partia Demokratike e këtij qyteti.