Ka rezultuar i dështuar edhe takimi i dytë në Zvicër mes Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe homologut të tij serb në praninë e Presidentit të FIFA-s, Blater.

Takim ka zgjatur për disa minuta, por në fund asnjë nga palët nuk ka dalë me një përgjigje nëse Kosova do të lejohet që të zhvillojë ndeshje miqësore me simbolet e saj.

E ndërsa Presidenti i FFK, Vokrri është shprehur se nga takimi i dytë ka pasur progres, homologu serb Karaxhiç e ka përgënjeshtruar menjëherë duke deklaruar se Kosova nuk do të pranohet.

Në presion, FIFA ka vendosur që të shtyjë vendimin që do të marrë duke dalë me një komunikatë zyrtare, sipas së cilës ditën e hënë do të bëhen publike edhe rezultatet e takimit, më pas vendimi do të pasohet edhe me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që është parashikuar të mbahet në mars.

Deri më tani, FIFA ka lejuar një vit më parë që përfaqësueset e ekipeve të moshave të Kosovës të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare miqësore.

E ndërsa zyrat e FIFA-s zhvillohej takimi mes palëve, jashtë ambienteve shumë shqiptarë nga Kosova që jetojnë në Zvicër kanë protestuar dhe përmes pankartave kanë kërkuar që Organi më i Lartë i Futbollit Botëror të pranojë kombëtaren më të re.