Në një kohë kur numërohen mbi 10 mijë persona të prekur nga virusi i Ebolas dhe rezultojnë rreth 4550 të vdekur, ekspertët në Shqipëri
deklarojnë se risku është shumë i vogël, por nuk përjashtohet që Ebola të hyjë dhe në vendin tonë. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino thotë se po merren masa çdo ditë duke i rakorduar ato dhe me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. “Ne jemi duke punuar për marrjen e masave. Udhëzimet përditësohen, qoftë nga OBSH- ja dhe nga CDC-ja, ndaj edhe ne komunikojmë me kolegët e tjerë. Kemi vendosur tashmë një vlerësim rrisku, në aeroport dhe në pikat kufitare. Shqipëria ka një risk të ulët të hyrjes së Ebolas, por natyrisht nuk përjashtohet dhe ne marrim masat paraprake”, tha Bino.