Por, këtë vit, edhe pse e shpalli me një Vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, nuk do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve, të paktën për aq kohë sa të jetë në fuqi qeveria në detyrë. Udhëzimi i ministrit të Financave, që pritej të dilte dje, pa të cilin nuk mund të kryhet lëvizja buxhetore që kërkohet para se të vendoset disbursimi i shumës shtesë për shpenzime të tilla jo të vogla, nuk ka dalë në Fletoren Zyrtare.
Burime zyrtare nga ministria e Financave bënë të ditur dje se projekti i hartuar më parë nga specialistë të këtij dikasteri, tashmë është i rrëzuar dhe, sipas tyre, do t’i lihet “në derë” qeverisë së re, nëse do ta bëjë efektiv këtë masë apo jo.
Duket se ka qenë situata e vështirë e financave publike gjatë gjysmës së parë të vitit faktori kryesor, që ka detyruar qeverinë Berisha të tërhiqet nga zbatimi i këtij vendimi, për herë të parë gjatë 8 viteve të fundit. Në fakt, në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat tatimore në buxhet rezultojnë afro 14 miliardë lekë më pak se plani, ndërsa deficiti buxhetor ishte mbi 38 miliardë lekë, gati sa 80 për qind e gjithë deficitit vjetor të programuar.
SHKURTIMET
Për më tepër, kriza e rënduar e financave publike e ka detyruar ministrinë e Financave të përgatisë me shpejtësi edhe një vendim për të frenuar shpenzimet e buxhetit. Drafti, i bërë gati nga ekspertët, ndalon çdo prokurim të ri publik për investime dhe ngrin shpenzimet për dieta e udhëtime të administratës.
Kufizimi i shpenzimeve në mes të vitit buxhetor është shndërruar në një traditë për financat publike, që pas vitit 2009. Por këtë herë situata është më e rënduar. Thesari ka filluar të mos shlyejë faturat, madje edhe ato që janë pranuar zyrtarisht. Sipas burimeve nga Financat, vetëm këto muajt e fundit janë krijuar 2 miliardë lekë detyrime të pashlyera ndaj bizneseve, që kanë kryer punë publike gjatë muajve të fundit.
Këto janë fatura të njohura zyrtarisht dhe të pranuara në Thesarin e shtetit, veç malit të borxheve të prapambetura, deri në 200 milionë euro, që është akumuluar gjatë viteve të fundit dhe 200 milionë eurove të tjera, që llogaritet TVSH-ja e parimbursuar.
ZGJEDHJET
Rëndimi i situatës financiare të qeverisë është edhe më i pamenaxhueshëm tani. Pas humbjes së zgjedhjeve, qeveria e rënë nuk e ka më mandatin për të ndërhyrë në buxhet. Gjasat janë që rishikimi i detyrueshëm i buxhetit të ndodhë në muajin tetor nga qeveria e re. Me të ardhurat në rënie, rreziku kryesor deri në formimin e qeverisë së re nuk është më vetëm borxhi i keq ndaj biznesit, por edhe aftësia e qeverisë për të paguar pensionet dhe rrogat e administratës.
BORXHI
Vetëm në një muaj qeveria mori borxh të brendshëm një shumë totale prej 11.5 miliardë lekësh në 5 ankandet e bonove të thesarit të zhvilluara dhe përsëri këto para nuk kanë mjaftuar për të mbajtur premtimin për rritjen e pagave dhe pensioneve, që pritej të kishte një efekt financiar prej 2.5 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit. Ky fond ishte parashikuar që në miratimin e buxhetit në fillim të vitit, në zërat politika të reja pagash më vlerë 1 miliard lekë dhe politika të reja pensionesh në vlerë 1.5 miliard lekë.
NDËRKOMBËTARËT
Tashmë është diçka e bërë publike vullneti i qeverisë së ardhshme për të rilidhur marrëdhëniet e dikurshme me Fondin Monetar, të ndërprera nga qeveria Berisha. Ardhja e ekspertëve të FMN dhe BB në korrik ka karakter njohës, para se ata të japin sugjerimet e tyre për daljen nga situata.Por, sidoqoftë, pas rritjes së borxhit publik dhe rënies së të ardhurave buxhetore, konsolidimi fiskal dhe mbajtja nën kontroll e borxhit pritet të jenë një sfidë urgjente, me të cilën qeveria e re duhet të përballet qysh ditën e parë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)