Sa do ndikojë mesatarja dhe 
nota për të fituar Universitetin

Sa do ndikojë mesatarja dhe <br />nota për të fituar Universitetin
TIRANË - Për të fituar Universitetin do të merret parasysh mesatarja e 3 viteve të shkollës së mesme, por edhe nota e provimeve në lëndët me zgjedhje të maturës shtetërore. Të gjitha universitetet publike kanë miratuar një formulë të përbashkët për pranimet e reja të studentëve, ku peshën kryesore ja lënë mesatarës së shkollës së mesme, ndërsa rëndësi do t’i jepet edhe notës së provimeve me zgjedhje. Pesha e notës mesatare të 3 viteve do të jetë 50%, ndërsa përqindja e lëndëve me zgjedhje do të jetë nga 10-20%.

50% të vlerësimit e ka nota mesatare e shkollës së mesme. Pra mesatarja aritmetike e tri viteve, përfshirë edhe rezultatet që marrin në maturën shtetërore dhe 50% të vlerësimit e ka mesatarja e gruplëndëve, në mënyrë specifike sipas drejtimeve që ka Universiteti i Tiranës”, - thuhet në vendimin që ka miratuar senati i Universitetit të Tiranës por edhe propozimet që kanë bërë universitetet e tjerë.
Shembulli

Nëse një maturantë do të konkurojë për një degë në Fakultetin e Drejtësisë, do të përzgjidhet në këtë formë. 50% do të jetë nota mesatare e 3 viteve, 10% do të jetë nota e lëndës së Historisë, 10% do të ndikojë nota e qytetarisë, 10% nota e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, 10% do të ndikojë nota e lëndës së Ekonomis dhe 10% do të jetë nota e lëndëve Sociologji, psikologjie e Filozofi. Pra një fitues në Fakultetin e Drejtësisë do të zgjidhet në bazë të formulës, 50% do të ndikojë nota mesatare dhe 50% notat e gruplëndëve të marra sa bashku.

Nota mesatare
Ndërkohë Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka konfirmuar ditën e djeshme se nota mesatare dysheme të cilën pritet të miratojë qeveria do të jetë më e ulët se 6.5. “Nuk është as 6.5 as 7.5 nota mesatare do të jetë më e vogël për këtë vit të parë në mënyrë që ne mos ndikojmë për ju maturantët që kur keni marrë vendimin për të vijuar universitetin, s'keni pasur informacionin e ndryshimeve por kjo gjë do ju bëhet me dije sepse ne po marrim paraprakisht dhe mendimet e universiteteve.

Nën këtë notë mesatarë që ju thash sigurisht ka alternativa të tjera sepse pranë institucioneve të arsimit të lartë ka programe të zhvillimit profesional", ­ - u shpreh  Nikolla gjatë një takimi me maturantët në shkollën “Arben Broci. Ministrja Nikolla i bëri me dije maturantëve se, për Maturën Shtetërore, asgjë nuk ka ndryshuar këtë vit, sa i përket miradministrimit të saj dhe zhvillimit të pesë provimeve, atyre të detyruara dhe atyre me zgjedhje.

“Asgjë nuk ndryshon në punën tuaj dhe energjitë tuaj për Maturën Shtetërore. Ashtu siç e dini, që kur keni hyrë në gjimnaz, se në fund të vitit të tretë ju do të keni provimet e Maturës Shtetërore, e njëjta gjë do të jetë edhe këtë vit. Pra, do të keni provimet e detyruara dhe provimet me zgjedhje për të cilat ju po vijoni përgatitjen. Provimet e Maturës Shtetërore do të jenë provime dalëse, pra provime që vetëm certifikojnë përmbylljen e një faze të rëndësishme të formimit tuaj në gjimnaz”, - u shpreh ministrja

Konkursi
Ministrja e Arsimit sqaroi të gjithë maturantët në lidhje me konkurset për të hyrë në universitet, duke theksuar se konkurs do të kenë vetëm ato universitete që e kanë pasur atë edhe parë si, Universiteti i Arteve apo i Sporteve ku kërkohet një specifikë e caktuar. “Për universitetet ku nuk ka pasur konkurs nuk do të ketë konkurs. Nuk do të kthehet tradita e vjetër që për të hyrë në universitet, vetë universitetet zhvillonin konkurse”, - theksoi ministrja e Arsimit.

Nikolla, Maturantët do të përzgjedhin degët që do konkurojnë
Sipas Ministres së Arsimit, ajo që ndryshon këtë vit është mënyra e aplikimit për të ndjekur studimet në institucionet e arsimit të lartë, ku risi është plotësimi i formularit A1 nga të gjithë maturantët, edhe nga ata që do vijojnë studimet në universitete publike, por edhe nga ata që dëshirojnë të studiojnë në universitete private.

“Nuk do të jetë më Agjencia Kombëtare e Provimeve ajo që do të bëjë renditjen sipas profileve të caktuara në universitet. Ju do të vendosni vetë, në bazë të kritereve që universitetet përcaktojnë, se ku do të ndiqni studimet tuaja. Ju keni të drejtë të shkoni dhe të regjistroheni në disa universitete, aty ku ju mendoni që plotësoni kriteret”, - iu tha Nikolla maturantëve. Ligji i ri i Arsimit të Lartë detyron Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që të përcaktojë përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave vetëm nivelin dysheme të notës mesatare që duhet për të hyrë në universitet.
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi