Sa do të zgjasë qeveria e re britanike?

Sa do të zgjasë qeveria e re britanike?

Rishi Sunak

Konsevatorët britanikë fituan zgjedhjet e përgjithshme në dhjetor 2019 me një program radikal, sidomos për çështjen e Brex-it me lider Boris Jonson. Ky i fundit kishte ardhur në krye të konservatorëve pas largimit nga kjo detyrë prej grupit parlamentar te zonjës Theresa May.

Karma e ndoqi zotin Jonson dhe vet ai u largua nga drejtimi i partisë, edhe rrjedhimisht  nga detyra e kryeministrit ne korrik 2022 pas disa skandaleve prej të cilave ai është akoma në investigim nga parlamenti britanik.

Mënyra e zgjedhjes se kryetarit te Partisë Konservatore fillon në grupin parlamentar dhe më pas, nëse ka dy deputetë të grupit parlamentar që kanë mbështetjen e më shumë se 100 deputetëve, shkon para anëtarëve të partisë nën parimin një anëtar një votë (rreth 120 mijë).

Në rastin e largimit të zotit Johnson, duhej mbështetja e 1/5 së deputetëve konservatorë dhe ky proces zgjati 5 javë dhe ndonëse fitues ishte Rishi Sunak nga radhët  deputetëve konservatorë, anëtarësia e partise kurorëzoi fituese zonjën Liz Truss. Ajo zgjati në këtë detyrë vetëm 45 ditë duke shënuar një rekord si kryeministrja më jetëshkurtër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ndonëse arsyet mund të jenë të ndryshme por ajo çka ra në sy ishte mini buxheti (rishikimi i buxhetit dhe paketës fiskale) pa konsultim me institucionet fiskale, në të cilin kryesisht propozohej ulje të mëdha taksash, por vetëm për të pasurit.

Kjo shkaktoi luhatje në tregun financiar me parashikime për efekte negative për koston e jetesës për qytetarin britanik.

Largimi i Truss hapi rrugën për nje garë të re për kryetar të partisë Konservatore dhe rrjedhimisht kryeministër i vendit. Zgjedhja më e drejtë dhe e natyrshme do ishte zgjedhjet e parakohshme për të zgjedhur kryministrin/en e vendit me mandat nga elektorati, por thirrja për zgjedhje qëndron në duart e konservatorëve. Dhe sfida e tyre është gjetja e një figure unifikuese për partinë dhe njëkohësisht duar të sigurta për ekonominë. Por zgjedhjet e parakohshme në këto momente  do të çonin me shumë gjasa në humbje të thellë të konservatorëve dhe një qeveri laburiste. Në këto rrethana duket sikur konservatorët do zgjedhin drejtuesin e tyre që mund të unifikojë partinë dhe drejtojë vendin deri në zgjedhjet e tjera me shpresën e stabilizimit të situatës ekonomike dhe forcimin e pëlqyeshmërisë së tyre me votuesit për të mos humbur dhjetra vende në parlament. Zgjedhja më e natyrshme duket se do ishte Rishi Sunak, një ekonomist i respektuar dhe ish- minister i Financave kompetent. Gjithsesi çdokush prej anëtarëve të parlamentit të partisë konservatore kishte të drejtën për të konkurruar sa kohë që merrte mbështetjen e të paktën 100 deputetve konservatorë në parlamentin britanik.

Ndonëse në treg u hodh ish kryeministri i larguar vetem para dy muajsh, Boris Johnson, ai u tërhoq nga gara me arsyetimin se nuk e bashkonte dot partinë konservatore. Është e paqartë gjithashtu nëse ai i mori 100 firmat e nevojshme të deputetëve, paçka se u shpreh se kishte 102.

Konservatorët britanik kanë përgjegjësinë kundrejt taksapaguesit britanik për të zgjedhur një kryeministër që ofron stabilitet ekonomik dhe politik. Sunak eshte ndoshta personi më i përshtatshëm për të drejtuar partinë konservatore dhe qeverinë britanike duke bashkuar sensitivitetet e ndryshme politike brenda konservatorëve por sidomos duke ofruar kompetence profesionale paçka se në bazën e partisë konservatore mbetet një figurë ndarëse si personi që solli largimin e Johson nga pushteti.

Opozita laburiste po gëzon përparësi të theksuar në opinionin publik me një epërsi mbi 30% në sondazhe që tregon se ajo ecën e sigurt drejt 10 Downing Street. Nëse sondazhet replikohen në zgjedhje reale, konservatorët rrezikojnë të jenë partia e tretë ose e katërt në parlamentin e ri. Në këto kushte konservatorët po mundohen të kufizojnë sado pak dëmin elektoral duke pasur një qasje pragmatiste dhe zgjedhur në krye të partisë konservatore Rishi Sunak. Një zgjedhje e tillë rrit shanset që më shumë deputet konservatorë të zgjidhen në parlamentin e ardhshëm britanik, kurdo që të mbahen zgjedhjet krahasuar me numrin që do zgjidheshin sikur zgjedhjet të mbaheshin sot.

Në të njëjtën kohë konservatorët shpresojnë se kjo mund ti bëjë ata më të besueshëm dhe kompetent për drejtimin e vendit dhe rikthimin e besimit në tregjet financiare./ TemA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë