Sa i përgjigjet programi i punësimit 
 nevojave bazë të ekonomisë?

Sa i përgjigjet programi i punësimit <br /> nevojave bazë të ekonomisë?
​Shqipëria po kthehet në një vend kontrastesh, të paktën sa i takon punësimit. Rezulton, sipas të dhënave zyrtare, se vende pune ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë, zanatçinj, që t’i përgjigjen këtyre nevojave. Nuk është fjala pë rata taborrë me jurist apo gazetarë, që po nxjerr pa masë arsimi i lartë, ndonëse i korrigjuar. Fjala është për ndërmarrjen, e madhe e të vogël ku nevojës për elektricistë, për frezatorë, tornitorë, axhustatorë, për montues panelesh dhe ndriçues nuk mund t’i përgjigjen persona të papunë që nuk e kanë haberin nga zanati, apo që kanë një diplomë për jurist.

Pak kohë më parë, duke folur për këtë problem të ri të shoqërisë shqiptare, kryeministri Edi Rama vuri në dukje se “ky është problemi dhe kjo është ajo që kemi mbjellë në vite të tëra, një farsë dhe pabesi e pashoqe që u është bërë prindërve në radhë të parë, që janë investitorët e kursimeve të tyre për të shkolluar fëmijët dhe fëmijëve në radhë të dytë, të cilëve iu hapën pa asnjë lloj pengese sinjalistike, autostradat e shpejtësisë së lartë për të hyrë në universitete, ku kishte vend për t’u parkuar që të gjithë dhe në fund u mbeti në dorë, në të shumtën e herës, një diplomë që nuk ka asnjë vlerë. Një diplomë që thotë se je jurist, por që sipas të gjithave gjasave mund të jesh edhe gjysmë analfabet”.

Absurdi është se në zyrat e punës së vendit tonë, sot janë 26 mijë e 800 e disa dhjetëra vende pune. Sigurisht, nuk janë vende pune për gjykatës apo avokat, nuk janë as vende pune që zgjidhin problemin si të kesh një rrogë dhe të mos shkosh në punë, çka është një problem që përbën një nga aspiratat kryesore të shumë parazitëve dhe dembelëve, që rrinë ankohen gjithë ditën duke thënë s’ka punë dhe kur i jep punën, thonë: Pse këtë vend pune do të bëj unë. Dhe, ndërkohë, kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë. Në çdo shtatë metra gjen një jurist. Këtu është i vetmi vend ku thonë “jam i papunë, taksixhi apo roje, por jam edhe jurist”.

Është e lehtë të thuash pse shkojnë investimet në Maqedoni, por Maqedonia ka investuar me këmbëngulje dhe me vite të tëra, për të pasur zanatçinj. Si ka mundësi që në 20 vite, kur diheshin dhe dihen se kush janë burimet e rritjes dhe zonat strategjike në ekonomi se ku do të investohej paraja, duke filluar nga energjia, nafta dhe mineralet, ne nuk nxorëm dot asnjë inxhinier të ri, pa folur pastaj për teknikë të mesëm. Faktikisht, po të shikojmë kompanitë e huaj që punojnë me energjinë dhe naftën, teknikët e mesëm dhe inxhinierët i kanë ose të huaj, ose kur kanë mundur të kapin ndonjë nga ata teknikë që kanë mbetur me kokrra të kohës së Enverit, që kanë mbetur si ai ushtari japonez që nuk e kishte marrë vesh se kishte mbaruar lufta, sepse të gjithë të tjerët kanë ikur në Kanada dhe punojnë inxhinierët tanë në Kanada.

Shqipëria ka një mundësi të madhe të zhvillimit të eksporteve në bujqësi, në blegtori, pa llogaritur faktin që kemi një mundësi absolutisht të sigurt të zhvillimit të këtij sektori, për të rritur kapacitetet prodhuese në vend. Por nuk gjendet kasap në Korçë. Është një fabrikë e teknologjisë së lartë dhe e gatshme për të krijuar zinxhir vendesh pune, pasi nuk bëhet fjalë vetëm kush punon atje, por edhe sa të tjerë janë punësuar indirekt, për të sjellë në këtë ndërmarrje, produktin bazë. Zhvillimi i kësaj fabrike është i penguar nga fakti se nuk ka kasapë. Juristë ka, por atij i duhen 50 kasapë dhe jo 50 juristë. Juristët mund ta bëjnë kasapin kur bëhen gjykatës, por nuk e bëjnë dot kur kanë përpara mishin për ta prerë dhe për ta paketuar.
 
Ndryshimi
Megjithatë, gjërat po lëvizin. Sot kemi një dyfishim dhe këtë vit shkollor do të kemi ndoshta katërfishim të numrit të të rinjve që shkojnë në shkolla profesionale, të cilët e kanë kuptuar se të marrësh zanat nuk do të thotë thjesht të kesh mundësi të bëhesh punëtor, por mund të bësh edhe ti, biznesin apo kompaninë tënde. Nëse Gjermania është shembulli që ne e shohim për të gjitha, edhe në këtë pikë, Gjermania është një shembull absolutisht i shkëlqyer për një të vërtetë të thjeshtë, se duke pasur një arsim profesional më të zhvilluarin dhe lidhjen mes shkollës dhe ndërmarrjes më të fortën, ka edhe numrin më të madh të personave që nga arsimi profesional bëhen sipërmarrës të vegjël. Domethënë, jo thjesht që të shkojnë të punojnë në fabrikë, por edhe punësohen përmes iniciativës së lirë.

Në zonën e Korçës ka 5 mijë kërkesa për punë, të regjistruara, por, nga këto 5 mijë kërkesa për punë, janë 6 mijë vende të lira punë në Korçë, të të gjitha llojeve.
Programet e punësimit nuk janë të mjaftueshme, por janë disafish më të larta, qoftë në financim, qoftë dhe në rezultate, sesa ishin deri 2 vjet e gjysmë përpara dhe që do të vazhdojnë të rriten pa as më të voglin dyshim. Por ajo që duhet është të rritet bashkëpunimi i shtetit me sipërmarrjen, duhet të rritet ndërveprimi me sipërmarrësit. Po ashtu duhet të rriten kapacitetet infrastrukturore, logjistike dhe njerëzore të sistemit të arsimit profesional. Duhet të bëhet një arsim profesional që të jetë i lidhur si mishi me kockën me ndërmarrjet.
 
Kërkesat
Një brez i tërë i të rinjve në Shqipëri duket se është i paarsimuar, në mënyrë të gabuar ose, të paktën, jo me një qëllim të qartë dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Orientimi tërësisht i njëanshëm i politikës së arsimit drejt zgjerimit sasior të ofertës së arsimit të lartë ka çuar më tepër në përkeqësim të situatës. Sot kudo mungojnë jo-akademikë të mbiarsimuar si p.sh. zanatçinj, punëtorë në sektorin e industrisë, sekretare ose personel mirëmbajtjeje dhe, nga ana tjetër, të rinjtë e shohin veten pothuajse të detyruar për të pasur një diplomë të çfarëdoshme, pa marrë parasysh nëse ajo do t’u nevojitet ose nëse do t’u përshtatet interesave përkatëse.

Mijëra të shkolluar të papunë konkurrojnë me joakademikë në tregun e kufizuar të punës për vende pune – pavarësisht se për çfarë vendi, qoftë në call center, si sekretare ose hostes, si kamerier ose në degë të tjera profesioni tërësisht joakademike. Të vetmit humbës janë ata, të cilët nuk kanë një diplomë universitare, me gjithë vlerën e ulët që ajo ka. Shpesh këta janë të rinj nga zonat rurale ose në përgjithësi të rinj nga shtresat më të varfra.
Tregu shqiptar i punës nuk është aspak treg, ndërsa investitorët kërkojnë fuqi punëtore të kualifikuar, por tregu i punës në Shqipëri ofron vetëm akademikë dhe të pakualifikuar.
 
Reformat
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa reforma lidhur me tërheqjen e rinisë në tregun e punës me objektiva realiste. Në përgjithësi, reformat kërkojnë kohë të gjatë për të dhënë rezultate. Kush kujton se reformat afatshkurtra të anonçuara me shumë zhurmë do të ndryshonin diçka, le të shohë në historinë e larmishme të reformave të Shqipërisë. Shumë gjëra hyjnë shumë shpejt dhe, madje, po aq shpejt janë hedhur poshtë ose janë ndryshuar.

Në letër (dhe në prezantimin publik) janë bërë shumë më tepër nga ana sasiore sesa është bërë nga ana cilësore në realitet. Reformat kanë efekt vetëm nëse ato i përshtaten vendit dhe kushteve fillestare. Ato nuk mund të kopjohen nga vendet e tjera, por nga shembujt e mirë mund të mësohet shumë. Reformat do të bëhen realitet vetëm nëse ato do të zbatohen për vendin dhe shtetasit e tij dhe jo sa për “shfaqje politike”.

Të gjitha reformat mund të japin rezultat vetëm nëse ato do të ndërmerren dhe mbështeten nga të gjithë aktorët.
Nga më shumë se 400 shkolla profesionale dikur, sot kanë mbetur vetëm 40 të tilla. Arsyet qëndrojnë në neglizhencën e konsiderueshme të politikës arsimore në dekadat e shkuara. Ky “punim fragmentar” i mbetur përbëhet nga disa modele tepër interesante dhe të suksesshme të organizatave të huaja mbështetëse, veçanërisht nga BE-ja, Europa dhe shkollat e tjera, të cilat vazhdojnë të operojnë (pa bërë hapa përpara) si më parë. E gjithë kjo është dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme përmes analizash për qeverinë nga ekspertë vendas dhe të huaj.



Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik