Sa jetë do t’i duheshin Fortlumturisë Anastas në Shqipëri që të na mësonte... dashurinë?

Sa jetë do t’i duheshin Fortlumturisë Anastas në Shqipëri që të na mësonte... dashurinë?

Foto e rrallë: Mbërritja e Janullatos në Shqipëri në vitin 1991 i pritur nga At Zef Pllumi

U shua në moshën 95 vjeçare Fortlumturia e tij Anastas Janullatos. “Fjeti me Zotin...” thuhet bukur në shqip në njoftimin zyrtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ashtu siç bukur në shqip përdorin fjalët Hirësi, Fortlumturi etj. Lexoni të gjitha komunikatat e Kishës që prej sëmundjes së tij e deri më sot, janë të shkruara me një shqipe të kulluar që rrallë e gjen sot dhe në institucione shqiptare, pa folur në media a në parti. Si ja bëjnë? Nderimi për të po kryhet nga mbarë bota fetare pa dallim. Ata që e njohën dëshmojnë për erudicionin, dëshirën për dialog dhe përpjekjet për bashkëjetesën mes feve në Shqipëri. Ata që nuk e njohën, pretendojnë gjithësesi të shkruajnë sot, ndonjë, me atë stiln që ne e dimë mirë e që i përket asaj pjesës sonë që do të donim të mbetej përjetësisht në errësirë, si ajo ana e panjohur dhe e paparë e Hënës.

Por sa na ka lënë ne shqiptarëve, me jetën e tij të gjatë dhe vitet e shumta të kaluara në Shqipëri, Anastasi i Kishës Autoqefale Orthodhokse të Shqipërisë? Sa të bashkuar u shfaqën përherë para shqiptarëve 4 drejtuesit e feve kryesore, (në foton ilustruese) edhe pse, do të kishin pasur 1000 justifikime e pretekste për t'u treguar përçarës e të ndarë në Shqipëri, siç politika alla shqiptare e bën përditë. 

Kur ne ikim nëpër botë duke kërkuar nënshtetësi të panumërta, Fortlumturia e tij qëndroi këtu duke këmbëngulur për t’u bërë shqiptar. Durimi përtej akuzave, përtej dyshimeve, përtej sharjeve për të rimëkëmbur Kishën Orthodhokse Autoqefale Shqiptare të rrënuar bashkë me besimet e tjera në 1967 jo nga grekët, jo nga italianët, jo nga serbët apo anglo-amerikanët, por nga ne vetë shqiptarët, mes të cilëve janë gjallë ende ata që morën kazma e lopata e tregojnë me krenari edhe sot se ç’bënë.

Një nga udhëtimet e para të tij, pasi mori drejtimin e Kishës Orthodhokse Shqiptare, ishte në Boston, për t’u njohur me jetën dhe punën e Fan Nolit. Gjithmonë e ka nderuar dhe respektuar gjithëditurinë e këtij personaliteti të shquar të Shqipërisë, i cili, pati fatin që u largua në Amerikë, se po të kish qëndruar mes komunistëve, mes nesh... kushedi se si do të kishin shkuar ngjarjet. Përkthime të Nolit në liturgjinë e Kishës Orthodhokse përdoren edhe sot e kësaj dite mes besimtarëve orthodhoksë më shumë se nga cilido komunitet tjetër shqipfolës. A është e mjaftueshme që puna dhe vepra e Nolit të përdoret sot prej orthodhoksëve shqiptarë që janë pjesë të këtij besimi? A jeton sot Noli me fjalën dhe veprën në shqip në Kishën që ringriti nga rrënojat e komunizmit Anastas Janullatos?

Të gjithë shqiptarët orthodhoksë sot janë dëshmitarë të qëndisjes prej Hirësisë Anastas, me perin e fortë të këmbënguljes dhe të përuljes, të indeve të shkatërruar të besimit në Shqipëri. Askush nga ne të tjerët nuk mund ta njohë më mirë se ky komunitet ringjalljen dhe ringritjen e besimit, rindërtimin e strukturave mes baltës dhe kamzhikëve të nacionalizmit. Të gjitha sa u ndërtuan janë të dukshme e të prekshme në dritë të diellit.

Nuk iu përgjigj asnjëherë provokimeve dhe për këtë arsye nuk zgjodhi të ishte edhe politikan, edhe pse e njihte shumë mirë politikën, dobinë apo dëmin e saj. Ndoshta kjo mospërgjigje (vetëm dy intervista të tij ekzistojnë me dy gazetarë shqiptarë) la hapësira të tjera për baltën që disa dinë ta përdorin mjeshtërisht në vendin tonë.

E kishte vënë re mirë që mungesa e besimit në Shqipëri kishte mbjellë mes nesh, tek shumë, një ego të pamatë dhe me siguri, Fortlumturia e tij, e kishte bërë llogarinë se nuk do t’i mjaftonte as jeta e tij e gjatë, ndoshta as dhe nja dy tri jetë të tjera, ta sillte në dimensione njerëzore këtë egocentrizëm që prek ata që e humbin, që nuk e kanë më një besim, por që për dekada të tëra si besim iu imponohet një njeri dhe një parti.

Na la të shkruar të zezë mbi të bardhë se vetëm dashuria në radhë të parë dhe besimi më tej mund të na ndihmojnë të përmirësohemi, të limojmë egon që si një përbindësh nxjerr kokën shpesh e na bën të frikshëm si në marrëdhëniet me njëri-tjerin, ashtu dhe me të huajt zakonisht.

Na mësoi se ka vetëm një forcë madhore që e bën njeriun të fortë e të palëkundur në misionin e tij: “...Dashuria i mban të gjitha qëniet e arsyeshme në një unitet mistik..”, thotë. Me siguri, sot e përherë, kjo forcë e mbajti të palëkundur Fortlumturinë e tij Janullatos në Shqipëri. Të tjerat, nuk kanë rëndësi.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ervin: 25/01/2025 19:55

    Shume pak, sikur ai te mesonte Shqip.

    Përgjigju
  • Ilda: 25/01/2025 16:47

    Sikur lexoj mendimet dhe ndjenjat e mia,të një besimtareje të thjeshtë.Faleminderit Alba Malltezi që hedh dritë në një të vërtetë të madhe!

    Përgjigju
  • Gabriela: 25/01/2025 15:00

    Ky ishte fortlumturia ynë, njeriu i dashurisë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 25 Janar, 13:37

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?



×

Lajmi i fundit

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë