Raporti i OSBE-ODIHR i publikuar dje për zgjedhjet e 11 majit, ka zbuluar ndër të tjera edhe një shifër të panjohur për publikun shqiptar: sa para shpenzuan partitë politike dhe kandidatët, vetëm gjatë një muaji fushatë zyrtare, për reklama politike në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
Monitoruesit e ODIHR kanë matur paratë e dhëna duke përdorur librarinë zyrtare të Kompanisë Meta, që bën transparencë për sponsorizimet, pra, shpërndarjen me pagesë të materialeve me përmbajtje propagandistike. Konkretisht, në raport thuhet:
“Sipas Meta Ad Library, nga 9 prilli deri më 8 maj, kandidatët shpenzuan gjithsej deri në 21,410,830 lekë (217,870 euro) për reklama politike. Nga këto, PD shpenzoi 2,746,960 lekë (27,950 euro), Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1,173,220 lekë (11,940 euro), Lëvizja Shqipëria Bëhet 490,050 lekë (4,990 euro). Ndër kandidatët, Agron Shehaj, kreu i Partisë së Mundësive, kishte shpenzimet më të larta me 1,909,780 lekë (19,430 euro), Belind Këlliçi i PD-së me 763,100 lekë (7,770 euro) dhe Vullnet Sinaj i PS-së me 748,960 lekë (7,620 euro)”.
Në këtë raport, bie në sy se nuk ekziston asnjë pagesë e bërë online nga Partia Socialiste, përjashtuar deputetin Vullnet Sinaj që ka bërë reklama individualisht në rrjetet sociale. Megjithëkëtë, në raportin e ODIHR, PS akuzohet "për keqpërdorimin e një rrjeti të gjerë patronazhimi kundër standardeve", që si pjesë e misionit, kishte dhe shpërndarjen dhe pëlqimin e postimeve të politikanëve.
Por shpenzimet reale, sipas raportit mund të jenë më shumë se kaq. Sepse, shpesh, palë të treta, që nuk janë në vetvete parti politike, bëjnë pagesa online për llogari të ndonjë subjekti, dhe janë jashtë hartës të ligjit.
“Shpenzimet e fushatës për aktivitetet online duhet të përfshihen në limitin e përgjithshëm të shpenzimeve dhe të raportohen, pasi ligji kërkon raportimin e të gjitha shpenzimeve të fushatës. Megjithatë, fushatat online, reklamat politike të paguara në platformat e rrjeteve sociale dhe shpenzimet e palëve të treta janë të parregulluara, duke mundësuar përdorimin e pakontrolluar të fondeve në fushatë.
Këto boshllëqe krijojnë shtigje për përdorimin potencial të fondeve të paligjshme dhe të pagjurmueshme dhe anashkalimin e rregullave në fuqi. Për të rritur transparencën, autoritetet duhet të marrin në konsideratë rregullimin e fushatave online dhe të palëve të treta, dhe të përcaktojnë kushtet përkatëse për fushatat e palëve të treta dhe mekanizmat e duhur të raportimit dhe sanksionimit”, - thotë ndër të tjera Raporti për këtë çështje.
Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR i publikuar një ditë më parë i cilëson zgjedhjet e 11 majit, si të qeta, konkurruese dhe të mirëorganizuara, por me një sërë problematikash. Me shqetësim shikohet përdorimi i burimeve shtetërore dhe administratës në fushatë, që sjell pabarazi mes palëve.
PD 27,950 euro

Komente












