U zhvillua dje në Tiranë tryeza e rrumbullakët e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetesim me titull: “Tregu privat i sigurisë në Shqipëri dhe roli i tij në ruajtjen e sigurisë publike”.

Në aktivitet doli se reputacioni i shoqërive private të sigurisë vitet e fundit është luhatur nga dështimet e njëpasnjëshme të tyre për të prodhuar siguri dhe numri i bizneseve të cilët kontraktojnë këto kompani për shërbime ruajtjeje është ulur ndjeshëm. 

Zbatimi i dobët i legjislacionit, praktikat korruptive në licensim, tenderim dhe punësim dhe mungesa e kontrollit efektiv, kanë dëmtuar konkurencën e lirë në treg, profesionalizimin dhe cilësinë e shërbimeve.

Sektori publik është një nga klientët më të rëndësishëm të shërbimeve private të sigurisë në Shqipëri ku mbi një e katërta e të ardhurave vjetore të sektorit vjen nga shitja e këtyre shërbimeve te klientët publikë.

Por rezulton se praktikat e prokurimit publik në Shqipëri jo gjithmonë plotësojnë standardet e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të kërkuara nga praktikat më të mira ndërkombëtare ose nga ligji kombëtar. Si rrjedhojë, dhe numri i ankesave është i lartë, në 89% të rasteve të procedurave të hapura për qarkun e Tiranës në 2015.

Në vitet 2013-2014, pesë shoqëri fituan vazhdimisht tendera duke marrë 10% të të ardhurave të kontratave publike për shërbime private sigurie. Më 2015, numri i shoqërive u ngushtua në vetëm tri SHRSF. 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)