Sa të pasur janë gjykatësit italianë?

Sa të pasur janë gjykatësit italianë?
Vizita dyditore e kreut të Senatit Italian Pietro Grasso në Tiranë, nuk ishte vizita e një politikani të çfarëdoshëm. Nuk ndodh gjithnjë që një figurë kaq interesante të prekë Shqipërinë. Karriera e tij si gjykatës antimafie, puna me figura të rëndësishme të historisë së Drejtësisë italiane si Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, e bëjnë atë një personazh për ta dëgjuar me vëmendje.

Para se të futej në politikë ishte Prokuror Kombëtar i Antimafias në Itali dhe politikën e sheh si një mjet për të realizuar objektivat që i ka pasur gjithnjë synim: të vërtetën, drejtësinë, lirinë.
Pata mundësinë ta ndiqja me vëmendje në intervistën e gjatë që Carlo Bollino i bëri në prezantimin e dy librave të tij antimafie në mjediset e Institutit Italian të Kulturës; dha mesazhe të qarta se si një shoqëri mund të provojë të çlirohet nga pesha e rëndë e kriminalitetit. Kur tregonte për Mafian italiane dhe mënyrën se si ajo “zgjidh hallet” e njerëzve në nevojë, “u mbaron punë” duke u marrë në këmbim lirinë, më dukej sikur fliste dhe për Shqipërinë.

Patëm shansin dhe me një grup gazetarësh ta takonim e të bisedonim dhe më afër në rezidencën e ambasadorit Massimo Gaiani; tregoi mes të tjerave, për një bashkëpunëtor të Drejtësisë në Itali, ish pjesëtar i lartë i Mafias, të cilin Grasso si prokuror antimafia e kishte pyetur: “Kur mendon se do të vdesë Mafia? – Mendova se do të më jepte një vit, një datë”, na tregoi Grasso, por ish-mafiozi nisi të rrëfente një histori të vërtetë: “Një ditë vjen një 27 vjeçar të më takojë. Më tha se kishte një vajzë të vogël që gjithnjë qante, natë e ditë. Nuk kishin qumësht, nuk kishin për të ngrënë, të varfër në ekstrem. Mendova t’i shkruaja një letër një ndërtuesi që punonte me paratë e mia, vazhdon rrëfimi i ish-mafiozit, e ta merrte në punë. I riu nisi punën, sigurisht në të zezë e pa dokumenta, por ishte i kënaqur dhe një ditë erdhi të më falenderojë. – Ju jam borxhli, më tha, çfarë mund të bëj për ju? - Më jep dokumentat e tua, i thashë. Kështu me ato dokumenta të pastra mund të fshihesha më mirë, të blija edhe makinë, por djali humbi lirinë e identitetit të tij. Ja pra, i  tha ish-mafiozi atëherë prokuratorit antimafia Pietro Grasso, Mafia do të vazhdojë derisa këta nevojtarë të vijnë e të trokasin në derën e saj”...

Atë që nuk e bën Shteti për njerëzit, e bën Mafia, ose shtetarët mafiozë, të cilët marrin favore personale në emër të Shtetit.
“Nuk mjaftojnë vetëm gjykatësit antimafia të luftojnë kriminalitetin, por e gjithë shoqëria, e sidomos të rinjtë”, tha Presidenti Pietro Grasso.
Foli shumë dhe për besimin dhe shpresën që ka Italia për reformat dhe vendosjen e rregullave në Shqipëri dhe në fund nuk mund të lija pa e pyetur: Sa të pasur janë gjykatësit, prokurorët italianë? Ç’pasuri kanë ata? Duke buzëqeshur, ish-prokurori Antimafia u përgjigj: “Janë të pasur vetëm në eksperencë”.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani