Kapiteni legjendar i Realit të Madridit dhe Spanjës, Iker Casillas nuk e fsheh aspak faktin që janë favoritë për të fituar sërish Kupën e Botës. Portieri në një intervistë në prag të botërorit shprehet se “Spanja është favorite kryesore për të fituar kampionatin botëror.

E dimë që do të jetë e vështirë të mbrojmë titullin sepse ka kombëtare që po luajnë një futboll shumë të mirë si Gjermania, Portugalia, Argjentina, Brazili apo Holanda, por ne do të japim maksimumin, pasi kemi shumë besim në vetvete” tha ai.

“Mesi i sëmurë nga presioni”
Lionel Mesi ka pasur probleme me stomakun gjatë kohëve të fundit dhe shpesh është parë duke vjellë gjatë ndeshjeve me Barcelonën dhe Argjentinën. Për këtë fakt kanë folur babai i argjentinasit, por edhe trajneri i kombëtares.

E ndërsa babai, Jorge ka mohuar problemet e djalit të tij duke deklaruar se janë episode që ndodhin kujtdo, trajneri Alehandro Sabela shprehet tejet i shqetësuar me gjendjen fizike. “Mesi sëmuret si shkak i presionit të madh, prandaj ai nuk po ndihet mirë në disa momente dhe nervat po ia keqësojnë gjendjen” tha ai.

Nishimura hap botërorin
Japonezi Yuichi Nishimura do të arbitrojë ndeshjen e hapjes së Botërorit 2014, Brazil – Kroaci, të enjten në Sao Paulo. Nishimura 42 vjeç, është gjyqtar ndërkombëtar që nga viti 2004. I zgjedhur gjyqtari i vitit 2012 nga Konfederata Aziatike, ai ka drejtuar finalet e një numër garash, përfshirë edhe atë të Botërorit deri në 17 vjeç në vitin 2007.